Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, mori pjesë në inaugurimin e ekspozitës ndërkombëtare “3 Rrugë: Constantine Manos – Nikos Economopoulos – Enri Canaj”, e organizuar nën kujdesin e veçantë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi.

E prezantuar për herë të parë në Kretë, ekspozita bashkon krijimtarinë e tre fotografëve me lidhje të veçantë me Greqinë, ndër ta edhe fotoreporterin shqiptar Enri Canaj. Përmes fotografisë së rrugës, ekspozita ofron një këndvështrim artistik mbi jetën e përditshme, duke vënë në pah fuqinë e kulturës dhe artit për të ndërtuar ura dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi përtej kufijve.


Në kuadër të vizitës, Ambasadorja zhvilloi takime me Nënprefektin e Njësisë Rajonale të Lasithit, z. Ioannis Androulakis, si dhe me Kryetarin e Bashkisë së Agios Nikolaos, z. Manolis Menegakis. Gjatë bisedimeve u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe institucional, si edhe kontributi i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në Kretë në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.


Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi shpreh mirënjohjen e saj ndaj Rajonit të Kretës, Bashkisë së Agios Nikolaos, Museo Tzortzi, MOMUS – Organizatës Metropolitane të Muzeve të Arteve Pamore të Selanikut, Muzeut Benaki, Green Project dhe z. Yannis Tzortzis për mikpritjen, bashkëpunimin e shkëlqyer dhe angazhimin e tyre në organizimin e kësaj ekspozite, e cila promovon dialogun, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin përmes kulturës.



