Bashkëpunimi dhe komunikimi ndërinstitucional ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë vijojnë të japin rezultate konkrete në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Një delegacion me ekspertë nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit, i shoqëruar nga përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, zhvilloi një vizitë pune në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Athinë.
Vizita u zhvillua në kuadër të procedurave për kthimin në Shqipëri të dy objekteve arkeologjike me origjinë nga Muzeu Arkeologjik i Butrintit.

Gjatë vizitës, ekspertët dhe arkeologët shqiptarë patën mundësinë të njiheshin nga afër me objektet dhe të shkëmbenin informacion teknik dhe profesional me kolegët e tyre grekë. Ky bashkëpunim kontribuon në vijimin e procedurave përkatëse dhe në përmbylljen e procesit të kthimit të objekteve në Shqipëri.
Ky proces dëshmon rëndësinë e dialogut dhe të angazhimit të përbashkët të institucioneve të të dy vendeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit shqiptaro-grek në luftën kundër trafikimit dhe tregtisë së paligjshme të pasurive kulturore.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë shpreh mirënjohjen për autoritetet dhe ekspertët grekë për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e treguar gjatë këtij procesi.



