Në zemër të Athinës u zhvillua me sukses Mbrëmja Shqiptare, në kuadër të festivalit multikulturor “IRAKLIA 2026”, i cili këtë vit shënon 30-vjetorin e veprimtarisë së tij kulturore. Aktiviteti u organizua nga Bashkia e Iraklios të Atikës, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi.

Në këtë veprimtari mori pjesë Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e cila vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer, për të dytin vit radhazi, me Bashkinë e Iraklios të Atikës.
Në fjalën e saj, Ambasadorja theksoi rëndësinë e promovimit dhe ruajtjes së kulturës dhe traditave shqiptare, si dhe kontributin e çmuar të komunitetit shqiptar në jetën kulturore dhe shoqërore në Greqi.

Këngët, vallet, veshjet tradicionale dhe gastronomia shqiptare sollën në skenë ngjyrat dhe pasurinë e kulturës sonë, në një mbrëmje të mbushur me art, traditë, emocion dhe krenari.
Kultura shqiptare u përfaqësua nga “TIRONA”, OJF “Jeta”, “Bashkë për Ju”, “Vëllazërimi”, grupi i valleve “Na bashkoi vallja popullore”, shoqata fierake në Greqi “Myzeqeja” dhe “Bashkimi Delvinjot”.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi shpreh mirënjohjen për të gjitha shoqatat, grupet artistike dhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptar për kontributin dhe angazhimin e tyre në këtë mbrëmje të veçantë, ku kultura u bë edhe një herë një urë miqësie, mirëkuptimi dhe afrimi mes komuniteteve.
Foto: Fred Prendushi Pali dhe Sokol Bara



