Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, në bashkëpunim me Shoqatën “Vëllazërimi”, organizoi në mjediset e saj një veprimtari kushtuar librit “Mendoj si Europian”, të autorit dhe profesorit të filozofisë, Prof. Dr. Agim Leka.
Në këtë takim morën pjesë diplomatë, intelektualë, studiues dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Athinë. I pranishëm ishte gjithashtu z. Fitim Gllareva, Udhëheqës i Zyrës së Interesave të Republikës së Kosovës në Greqi.

Gjatë diskutimit, Prof. Dr. Agim Leka paraqiti idetë kryesore të veprës, duke e trajtuar Europën jo vetëm si një hapësirë gjeografike dhe politike, por edhe si një bashkësi vlerash të mbështetura në dialog, mendim kritik, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë.

Referuesit Pjerin Lleshi dhe Niko Curri vlerësuan kontributin e librit në nxitjen e njohjes së historisë kombëtare dhe të reflektimit mbi vlerat që formësojnë identitetin dhe qytetarinë.
Ministrja Këshilltare Eliverta Radomi, e cila moderoi veprimtarinë, theksoi se përvetësimi i vlerave europiane përbën një proces të vazhdueshëm zhvillimi, të mbështetur në arsimim, përgjegjësi individuale, institucione funksionale dhe kulturë qytetare.

Veprimtaria krijoi një hapësirë të vlefshme dialogu dhe shkëmbimi mendimesh mbi rolin e arsimit, filozofisë dhe kulturës në kultivimin e mendimit europian dhe forcimin e vlerave të përbashkëta.



