Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi dhe Delphi Economic Forum (DEF), Presidenti i DEF, z. Simeon Tsomokos, zhvilloi një vizitë pune në Tiranë, i shoqëruar nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga.
Vizita u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për Tirana Economic Forum, një nismë e organizuar si aktivitet satelit i Delphi Economic Forum, që synon të nxisë dialogun strategjik dhe bashkëpunimin ekonomik në Shqipëri dhe në rajonin e Evropës Juglindore.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, z. Tsomokos zhvilloi takime me përfaqësues të Kryeministrisë, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit shqiptar dhe grek.
Diskutimet u përqendruan në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, forcimin e dialogut ndërmjet sektorit publik dhe privat, si dhe identifikimin e nismave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Tirana Economic Forum synon të trajtojë një sërë çështjesh me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Evropën Juglindore, përfshirë sigurinë rajonale dhe energjetike, integrimin evropian, investimet e huaja, zhvillimin ekonomik, transformimin urban, inovacionin dhe inteligjencën artificiale, turizmin e qëndrueshëm dhe politikat e migracionit.
Forumi do të shërbejë si një platformë për forcimin e dialogut ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, nxitjen e bashkëpunimit rajonal, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja, duke promovuar mundësi konkrete investimi në Shqipëri dhe në rajon.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi mbetet e angazhuar në mbështetjen e kësaj nisme, në funksion të forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe institucionale shqiptaro-greke dhe thellimit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
Ambasada fton sipërmarrësit shqiptarë dhe grekë, përfaqësuesit e institucioneve publike dhe aktorët e sektorit privat të marrin pjesë në Tirana Economic Forum, si një mundësi për shkëmbimin e ideve, zhvillimin e partneriteteve dhe eksplorimin e perspektivave të reja të bashkëpunimit dhe investimit.
Për më shumë informacion: www.tiranaforum.com



