Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë përgëzon ekipin e futbollit Apolonia FC Athina për arritjet e jashtëzakonshme në sezonin 2024-2025. Ekipi shqiptar u shpall kampion i Kupës “Anexartitos”, me një diferencë prej 11 pikësh nga vendi i dytë, pas një sezoni të gjatë me 34 ndeshje, ku regjistroi 33 fitore dhe vetëm një barazim. Gjithashtu, ekipi Apolonia fitoi edhe Kupën e Athinës, në të cilën konkurruan mbi 60 ekipe nga katër kategori të ndryshme, duke dëshmuar cilësinë dhe përkushtimin e skuadrës.
Me më shumë se 20 vite ekzistence, Apolonia FC ka arritur të fitojë 19 kupa dhe 7 kampionate, si dhe vlerësime të shumta individuale për lojtarët më të mirë dhe golashënuesit e sezonit, duke u bërë një simbol krenarie për komunitetin shqiptar në Greqi, i cili edhe këtë herë me pjesëmarrje të gjerë dhe entuziazëm mbështeti ekipin e zemrës.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të trofeut, në finalen e Kupës, përfaqësuesja e Ambasadës së Shqipërisë, znj. Joana Zhonga në fjalën përshëndetëse, përgëzoi sportistët për arritjen dhe mbi të gjitha për përkushtimin, pasionin dhe shembullin pozitiv që i japin brezit të ri.
Urime të përzemërta trajnerit Benard Veliu për drejtimin e suksesshëm shumëvjeçar të ekipit, Presidentit të Apolonia FC, z. Andon Caco për mbështetjen e pakursyer në mbarëvajtjen e ekipit, si dhe të gjithë lojtarëve për performancën e shkëlqyer. Urime organizatorëve për kampionatin mbresëlënës.
Sporti bashkon, ashtu si dhe miqësia mes dy popujve tanë. Të rinjtë tanë janë ura të forta të bashkëpunimit dhe krenarisë përmes pasionit për lojën.