Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë organizoi aktivitetin kulturor “Arti që na bëri bashkë”, një event ku ngjyrat, drita dhe emocionet u bashkuan në një përqafim artistik të veçantë. Kjo ekspozitë solli së bashku dy krijues të talentuar shqiptarë nga Vlora: Roland Harizin, me punimet e tij prej druri të riciklueshëm, dhe fotografen Eda Mollën, e cila prezantoi portrete frymëzuese bardhë e zi të njerëzve nga vende të ndryshme të botës.
Në fjalën përshëndetëse, Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga vuri në pah: “Është kënaqësi të hapim dyert e Ambasadës për dy artistë që jo vetëm krijojnë me pasion, por edhe sfidojnë dhe bashkojnë përmes veprave të tyre. Kjo ekspozitë përfaqëson një dialog vizual dhe shpirtëror që fton secilin prej nesh të ndalojë dhe të reflektojë.”
Ekspozita qëndroi e hapur për dy ditë, duke prezantuar krijimet e Roland Harizit nga druri i riciklueshëm, të cilat riaktivizojnë materiale të braktisura dhe transmetojnë mesazhe për qëndrueshmërinë dhe kreativitetin artistik. Ndërkohë, Eda Molla përmes fotografive të saj ofroi një dritare në jetën dhe emocionet njerëzore, duke përçuar mesazhe universale mbi lidhjen njerëzore.
Ky aktivitet kulturor nuk ishte vetëm një ekspozitë arti, por një urë bashkëpunimi dhe lidhjeje ndërkulturore, që promovon dhe mbështet talentin shqiptar jashtë vendit. Falënderojmë artistët për ndarjen e pasurisë së tyre artistike me publikun dhe për ngjyrosjen me dritë të Ambasadës sonë.