Me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, u çel me sukses ekspozita personale e piktorit të njohur shqiptar Foti Kllogjeri, me titull “Nuk jam ajo që sheh” (Δεν είμαι αυτό που βλέπεις), kuruar nga Paris Kapralos (Πάρης Καπράλος).
Ceremonia e hapjes u zhvillua në ambientet e Technohoros Art Gallery dhe u nderua me praninë e Ambasadores së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e shoqëruar nga diplomatë të Ambasadës, përfaqësues të trupit diplomatik, miq të artistit dhe dashamirës të artit.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Hajdaraga përgëzoi z. Kllogjeri për krijimtarinë dhe përkushtimin e tij artistik, duke theksuar se arti mbetet një urë e fuqishme komunikimi dhe mirëkuptimi ndërmjet kulturave, si dhe një mënyrë për të shprehur identitetin tonë kolektiv dhe personal. Ajo i uroi artistit suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij krijues, si në Greqi ashtu edhe jashtë saj.
Kjo ekspozitë paraqet një ndërthurje të veçantë mes figuratives dhe abstraktes, duke ftuar vizitorin të shohë përtej dukjes dhe të zbulojë shtresat e brendshme të perceptimit njerëzor. Është një udhëtim estetik që komunikon me gjuhën universale të artit dhe nxit reflektim mbi mënyrën se si ne perceptojmë botën dhe vetveten.
Ekspozita “Nuk jam ajo që sheh” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 nëntor 2025 në adresën:
Technohoros Art Gallery
Lempesi 12, Athinë (Stacioni i metrosë “Akropoli”)
Ky aktivitet nënvizon rëndësinë e artit në dialogun kulturor dhe rolin e tij si një platformë për të bashkuar komunitete dhe për të promovuar identitetin kulturor shqiptar jashtë vendit.




