Banka e Shqipërisë ka shpallur të hapur konkursin vjetor “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë 2026”, i cili u dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit gjatë periudhës tetor 2025 – tetor 2026.
Në kuadër të këtij konkursi, ftohen studentët shqiptarë të paraqesin temat e tyre të diplomës në fusha që lidhen me ekonominë dhe financën, përfshirë:
- ekonomiksin monetar dhe ndërkombëtar;
- stabilitetin financiar;
- integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian;
- politikën monetare dhe politikat makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë;
- politikat fiskale dhe rolin e tyre në ekonomi;
- sistemin bankar shqiptar;
- sjelljen e individëve dhe firmave në Shqipëri;
- si dhe çështje të tjera të ekonomisë në përgjithësi.
Temat konkurruese do të vlerësohen nga një komision i posaçëm shkencor pranë Bankës së Shqipërisë, i cili do të përzgjedhë punimet fituese bazuar në cilësinë shkencore, origjinalitetin dhe rëndësinë e gjetjeve të tyre.
Çmimet për fituesit janë:
- Çmimi i parë: 250.000 lekë
- Çmimi i dytë: 200.000 lekë
- Çmimi i tretë: 150.000 lekë
Aplikimet duhet të dorëzohen në format elektronik (PDF) në adresën e e-mail-it: public@bankofalbania.org
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim përfshin:
- letër interesi për pjesëmarrje në konkurs;
- Curriculum Vitae;
- abstraktin dhe një përmbledhje të gjetjeve kryesore;
- emrin e udhëheqësit të temës dhe universitetin/fakultetin përkatës;
- versionin e plotë të temës së diplomës.
Njoftimi i plotë mund të lexohet në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë:
Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve është 31 tetor 2026.



