Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, priti në ambientet e Ambasadës Drejtoren Ekzekutive të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, Kryetaren e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, znj. Klarita Selmanaj, si dhe një përfaqësi të mësuesve të kësaj Lidhjeje.

Takimi u përqendrua në mbështetjen konkrete të mësuesve, kurseve dhe shkollave të gjuhës shqipe në Greqi. Në kuadër të kësaj nisme, parashikohet pajisja e tyre me libra në gjuhën shqipe, materiale didaktike dhe pajisje teknologjike, me synim përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe të të nxënit.

Kjo nismë kontribuon në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj të diasporës, duke mbështetur njëkohësisht forcimin e lidhjeve të tyre gjuhësore dhe kulturore me Shqipërinë.



