Në ambientet e Kolegjit “New York” në Athinë u zhvillua me sukses edicioni i VI i Festivalit të Gastronomisë Shqiptare, organizuar nga Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi (Σύνδεσμος Αλβανίδων Γυναικών στην Ελλάδα), me kryetare znj. Agapi Gjika, në bashkëpunim me Komunitetin Shqiptar në Greqi, me kryetare znj. Rovena Xhori, nën përkujdesjen dhe mbështetjen e veçantë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi.
Festivali mblodhi së bashku komunitetin shqiptar dhe miq të shumtë në një atmosferë festive, ku u promovuan traditat, kultura dhe identiteti shqiptar përmes gatimeve tradicionale shqiptare, produkteve dhe punimeve artizanale, kostumeve popullore, si dhe një programi artistik me këngë dhe valle shqiptare.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve kulturore në promovimin e identitetit shqiptar në diasporë dhe theksoi angazhimin e Ambasadës në mbështetjen e nismave që forcojnë lidhjet e komunitetit shqiptar me vendin pritës.
Aktiviteti u nderua gjithashtu nga pjesëmarrja e Udhëheqësit të Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi, z. Fitim Gllareva, Anëtares së Këshillit Koordinues të Diasporës, znj. Ira Londo, si dhe përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme shqiptare në Greqi.

Një vlerësim i veçantë shkon për Shoqatën “Lidhja e Gruas Shqiptare” në Greqi, Komunitetin Shqiptar në Greqi, shoqatat shqiptare nga mbarë Greqia, gratë shqiptare që kontribuan me përkushtim në prezantimin e traditave, gastronomisë dhe vlerave tona kulturore, si dhe gratë sipërmarrëse shqiptare të vlerësuara për kontributin e tyre në fushën e gastronomisë.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi mbetet e angazhuar në mbështetjen e aktiviteteve që promovojnë kulturën, traditat dhe vlerat shqiptare në diasporë.



