Athinë, 15 maj 2026
Me ftesë të përbashkët të “Kathimerini” dhe “Financial Times”, Shqipëria mori pjesë në samitin ndërkombëtar “Energy Transition Summit: East Med & Southeast Europe”, i zhvilluar në Athinë më 13-14 maj 2026.
Samiti mblodhi në një platformë të përbashkët përfaqësues të lartë politikë, drejtues institucionalë dhe ekspertë të fushës së energjisë nga rajoni dhe më gjerë, duke u fokusuar në sfidat e tranzicionit energjetik dhe forcimin e sigurisë së furnizimit.

Shqipëria u përfaqësua në këtë forum nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, i cili mori pjesë në panelin ministror kushtuar angazhimeve për objektivat e vitit 2030. Në fjalën e tij, Ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, integrimit të tregjeve energjetike dhe forcimit të sigurisë energjetike.
Në kuadër të samitit, Ministri Karakaçi zhvilloi gjithashtu një takim dypalësh me Ministrin e Energjisë dhe Mjedisit të Greqisë, z. Stavros Papastavrou. Takimi u fokusua në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e projekteve strategjike të ndërlidhjes energjetike, si dhe në diskutimin e prioriteteve të Shqipërisë për diversifikimin e burimeve energjetike.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë vlerëson organizatorët e samitit, Kathimerini dhe Financial Times, për krijimin e një platforme të rëndësishme dialogu mbi tranzicionin energjetik dhe bashkëpunimin rajonal.
Pjesëmarrja në këtë forum kontribuon në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe në nxitjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.



