Nga data 23 deri më 25 tetor 2026, në Athinë u zhvillua Panairi Ndërkombëtar i Ndërtimit “OIKODOMI 2026”, një aktivitet i rëndësishëm që bashkoi kompani dhe profesionistë të sektorit të ndërtimit, duke krijuar mundësi për prezantimin e produkteve dhe zgjidhjeve inovative, si dhe për zhvillimin e bashkëpunimeve të reja.

Në këtë edicion morën pjesë edhe sipërmarrje shqiptare me veprimtari në Shqipëri dhe Greqi, ndër të cilat kompania EMANTE (Hall 3, E12), e specializuar në prodhimin e paneleve sandwich dhe strukturave mbështetëse për panelet fotovoltaike, si dhe Shoqata Industriale, Tregtare dhe Profesionale Greko-Shqiptare (Hall 2, A16). Të pranishëm ishin gjithashtu sipërmarrës të tjerë shqiptarë që zhvillojnë bashkëpunime me kompani greke.

Përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi vizituan panairin, duke riafirmuar mbështetjen për sipërmarrjen shqiptare, promovimin e potencialit të saj dhe forcimin e lidhjeve ekonomike e tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Pjesëmarrja shqiptare në “OIKODOMI 2026” përbën një mundësi të vlefshme për zgjerimin e kontakteve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve të të dy vendeve.




