Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Nikozia, me rastin e 35-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Qipros.

Gjatë vizitës, Ministri Hoxha zhvilloi takime me Presidentin e Republikës së Qipros, z. Nikos Christodoulides, Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Constantinos Kombos, Presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, znj. Annita Demetriou, si dhe Zëvendësministren për Çështjet Evropiane, znj. Marilena Raouna.

Takimet riafirmuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha me interes të ndërsjellë.
Ministri Hoxha shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Qipros ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe për rolin e saj konstruktiv gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian në mbështetje të agjendës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.


Gjatë takimeve u vlerësua veçanërisht mbështetja e Qipros për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përfshirë kontributin e saj në kuadër të fazave të rëndësishme të procesit negociues.
Bashkëbiseduesit u dakordësuan për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve, me fokus në tregti, investime, turizëm, arsim, energji dhe sektorë të tjerë me potencial të lartë zhvillimi.

Një zhvillim i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe është nisja e afërt e linjës direkte ajrore Tiranë-Nikozia, e cila pritet të kontribuojë në rritjen e kontakteve ndërmjet qytetarëve, forcimin e lidhjeve të biznesit dhe nxitjen e mëtejshme të turizmit ndërmjet dy vendeve.
Ministri Hoxha u shoqërua gjatë vizitës nga Ambasadorja jo-rezidente e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Qipros, znj. Luela Hajdaraga, si dhe delegacioni shqiptar.



