Në kuadër të 20-vjetorit të Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nga Unesco, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Athinë, znj. Luela Hajdaraga mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Festivalit Mesdhetar 2023, nën kujdesin e veçantë të Presidentes së Republikës Helene, znj. Katerina Sakellaropoulou.
Në ceremoninë e hapjes së aktivitetit, Ambasadorja Hajdaraga pasi përshëndeti të pranishmit, vlerësoi rolin e veçantë që luan angazhimi i institucioneve për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta të krijimtarisë kulturore, duke vënë në dukje se “Të gjithë ne e dimë se diplomacia kulturore kontribuon në krijimin e një themeli besimi midis vendeve dhe ndihmon në forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe sociale”. Në përfundim të ceremonisë znj. Hajdaraga u vlerësua edhe me një çmim mirënjohje.
Qëllimi i këtij Festivali, i cili kishte temë kryesore detin dhe lidhjet detare të popujve dhe kulturave rreth Detit Mesdhe ndër vite, ishte promovimi i paqes dhe miqësisë përmes ngjarjeve kulturore, zakoneve, traditave, kostumeve, muzikës, arteve, duke nxjerrë në pah se ngjashmëritë kulturore dhe diversiteti i bashkon njerëzit, si një shembull i promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe dialogut ndërkulturor.
Në këtë aktivitet prestigjoz kulturor Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga “Ansambli Danc Plus Elbasan”. Grupi i talentuar ekzekutoi mjeshtërisht valle të zonave të ndryshme të Shqipërisë, duke prezantuar më së miri kulturën, traditën dhe trashëgiminë shpirtërore të Shqipërisë. Rreth 400 valltarë, muzikantë, zejtarë, kuzhinierë dhe ekspozues pjesëmarrës prezantuan kulturën, traditat dhe artet popullore nga 16 vende mesdhetare, dhe mijëra vullnetarë, vizitorë, turistë dhe vendas iu bashkuan.