Bushati: Standardizimi i plotë i dokumenteve dhe procedurave të shërbimeve ka ulur ndjeshëm fenomenet korruptive dhe ka rritur transparencën për qytetarët tanë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka zhvilluar sot një interpelancë me një grup qytetarësh që marrin shërbime konsullore pranë konsullatës shqiptare në Milano dhe në ambasadën shqiptare në Athinë në kuadër të Platformës së Bashkëqeverisjes.
Kjo interpelancë, e kërkuar nga qytetarët si një ndër mënyrat më të mira për komunikim të drejtpërdrejtë me ministrin Bushati, kishte në fokus të saj njohjen, ofrimin dhe organizimin e shërbimeve konsullore, procedurat e ndjekura, metodat e reja digjitale apo dhe vështirësitë e përdorimit të tyre.
Duke falënderuar qytetarët për këtë nismë, ministri Bushati kujtoi se para disa vitesh, Milano dhe Athina ishin dy pika të errëta për atë çka ofronin për bashkatdhetarët tanë. Megjithëse ende ka shumë punë për t’u bërë, sot, tha ministri, kemi një përmirësim të dukshëm në këtë drejtim.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të bashkatdhetarëve tanë në Greqi, ministri përmendi si një hap të rëndësishëm, heqjen e rezervës për vulën apostile, e cila ka pasur efekte të ndjeshme në xhepat e qytetarëve afro 6.9 milionë euro.
Si një arritje pozitive e shërbimit konsullor nga qytetarët u vlerësua zbatimi i Platformës “SHKO”. Në interes të pyetjes së tyre, ministri Bushati u shpreh se në procedurat konsullore, nga 187 dokumente që nevojiteshin për 39 shërbime, numri i tyre u ul në rreth 40% më pak, duke u reduktuar me plot 75 dokumente. Po kështu, duke i shërbyer sa më efektivisht dhe në kohë rekord nevojave të qytetarëve, sipas ministrit, të gjitha shërbimet sot, prenotohen dhe aplikohen online në distancë, në konsultim me diplomatët konsullorë, përmes emailit dhe në monitorim. Standardizim i plotë i dokumenteve dhe procedurave të shërbimeve ka ulur ndjeshëm fenomenet korruptive dhe ka rritur transparencën për qytetarët tanë.
Po kështu, ministri foli dhe për 39 shërbime në përfaqësitë e 12 shteteve si, në Itali, Hungari, Sllovaki, Austri, Bullgari, Republika Çeke, Kosovë, Kroaci, Japoni, Mal i Zi, Rumani, Turqi dhe Zvicër, ku qytetarët kanë mundësi të tërheqin certifikatat e gjendjeve civile e po punohet në këtë drejtim edhe me 9 vende të tjera.
Duke iu përgjigjur interesimit të tyre mbi votën e emigrantëve, ministri Bushati u shpreh se ekziston një platformë e qartë për t’u materializuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare por, i rëndësishëm është vullneti politik. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme janë në procesin e regjistrimit të shtetasve jashtë vendit.
Në fund të diskutimit, ministri u shpreh se dëshiron që të vijojë ky komunikim i hapur ku të skicohen rrugëzgjidhjet e mundshme për shumë çështje të cilat prekin drejtpërdrejtë qytetarët shqiptarë jashtë atdheut.
Interpelanca e plotë
Faleminderit,
Përshëndetje të gjithëve si në Milano dhe në Athinë.
Unë dua t’iu falënderoj për këtë nismë që keni ndërmarrë, për të pasur këtë interpelancë në lidhje me shërbimet konsullore që ne ofrojmë.
Kujtoj këtu që para disa vitesh, Milano dhe Athina ishin dy pika të errëta në lidhje me atë ç’ka ofronim për bashkatdhetarët tanë. Mendoj që sot, kemi një përmirësim të dukshëm, por nga ana tjetër ka shumë punë për t’u bërë dhe jam i hapur së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve që ju mund të kini dhe për të mbajtur shënim çështjet që ne do duhet t’i trajtojmë në muajt në vijim.
Faleminderit dhe një herë tjetër.
Pyetje nga qytetarët shqiptarë që jetojnë në Athinë
Një pyetje në lidhje me atë se çfarë po bëhet për patentat me Greqinë. Po kështu, ende nuk ka filluar njohja e votave të emigrantëve.
Pyetje nga qytetarët shqiptarë që jetojnë në Milano
Ne do të ishim të interesuar të dinim se çfarë po bëhet në lidhje me rastet e humbjes së pasaportës apo lejes së drejtimit. Po kështu edhe diçka në lidhje me çështjen e përkthimeve
Përgjigje, ministri Ditmir Bushati
Faleminderit për pyetjet që janë konkrete dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shqetësimet e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Greqi dhe Itali.
Po e filloj nga Greqia.
Siç dihet, me qeverinë greke kemi hapur një kantier të madh pune. Pjesë e këtij kantieri janë edhe çështje që lidhen me aktualitetin, përditshmërinë ku i përmendët një pjesë të tyre.
Duke filluar nga vula apostile, heqja e të cilës natyrisht që ka pasur efekte të ndjeshme për xhepat e qytetarëve dhe për kohën të cilën qytetarët shpenzonin në lidhje me këtë praktikë dhe këtë procedurë.
Së dyti, me Greqinë, Athinën, Selanikun dhe Janinën, por kryesisht me Athinën dhe Selanikun që janë dy sportele konsullore e që përballojnë volumin më të madh të punës, ne kemi arritur që një pjesë të mirë të shërbimeve t’i ofrojmë në mënyrë dixhitale, pa pasur nevojë të paraqitesh personalisht. Kujtoj këtu që është një ndihmesë e madhe sidomos për shqiptarët që jetojnë në qytet, ku distanca nga Athina është e largët. Do të duhet të linin ditën e punës për t’u paraqitur në ambasadë apo konsullatë në Selanik e Janinë, me përjashtim të rasteve kur prania fizike është domosdoshmëri, siç është rasti i dhënies së shenjave biometrike për pasaportën apo për t’u pajisur me kartën e identifikimit.
Në këtë paketë, edhe marrëveshja për njohjen e ndërsjellët të lejeve të qarkullimit apo patentave, është një nga ato marrëveshje që Qeveria shqiptare ka hedhur hapa me shpejtësi maksimale. I kemi ezauruar të gjitha procedurat e miratimit. Për ne, sot për sot kjo marrëveshje është e mbyllur. Nga ana tjetër, pala greke ende nuk i ka nisur procedurat e miratimit të kësaj marrëveshjeje për së brendshmi. Pra, është hedhur firma nga ministri Kotzias dhe unë, por do të duhet të miratohet nga qeveria greke, në mënyrë që palët të njoftojnë njëra-tjetrën për fillimin e efekteve të saj.
Ju përmendët gjobat. Unë përmend një numër dokumentesh që lëshon drejtoria përkatëse e përgjithshme e Transportit Rrugor. Vetëm 3 vitet e fundit, mbi 188 mijë dokumente, leje drejtimi ndërkombëtare dhe kryesisht, këto janë për qytetarët shqiptarë që shkojnë drejt Greqisë, apo dhe për qytetarë që jetojnë në Greqi. Për të mos përmendur këtu më pas kostot që kanë lidhje me autoshkollën, e kështu me radhë. Më mirë, sa t’i listojmë ne këtej, ju i dini shumë mirë efektet praktike të kësaj marrëveshjeje. Ajo që dua të garantoj në emër të shtetit shqiptar është vendosmëria jonë për të punuar me palën greke për ta zbatuar këtë marrëveshje një më një.
Edhe në kontaktet që kemi pasur gjatë kësaj periudhe, 2-3 javët e fundit, pavarësisht incidentit fatkeq që ndodhi në Bularat, qoftë në kontaktet e Kryeministrit, në kontaktet e mia, kemi qenë në një faqe përsa i përket nevojës për të vijuar me vendosmëri, për të çmontuar një e nga një të gjitha barrierat që ekzistojnë sot për sot mes dy vendeve tona që kanë në analizë të fundit, impaktin e jetës së qytetarëve.
Shpresoj shumë që pala greke ta përfundojë një orë e më parë procedurën për këtë marrëveshje që është një marrëveshje tip, jo e sofistikuar që do donte vullnetin politik për ta përfunduar, por një marrëveshje që ka të bëjë me lehtësira që duhet t’i ofrojë qytetarëve në praktikë.
Së dyti, folët për nevojën për ta lehtësuar edhe më tej shërbimin konsullor, sidomos për kategori që e kanë të pamundur sot për sot të përdorin teknologjinë. Mendoj se ne kemi bërë një hov cilësor në këtë drejtim dhe ka qenë këmbëngulja dhe vendosmëria jonë për ta dixhitalizuar shërbimin. Përgjithësisht, njerëzit shohin vetëm anën e jashtme por nga ana tjetër, për çdo aplikim që bëhet sot për sot, në sistemin konsullor, ne kemi një mekanizëm verifikimi në Tiranë, në MEPJ sepse çdo aplikim ka një numër rendor dhe mbi bazën e tij, kemi mundësi për të verifikuar mënyrën se si është sjellë ekipi me qytetarët tanë dhe për të verifikuar çdo pretendim që mund të ngrihet. Sot, kemi lëvizur në një etapë tjetër. Nëse deri dje kishte pretendime të panumërta për abuzime, mitmarrje e mospërgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës nga ana e postave tona konsullore, sot, ankesat që vijnë kanë të bëjnë me shpejtësinë dhe respektimin e afateve që imponon ligji në ofrimin e këtyre shërbimeve.
Shpesh ka një debat të zjarrtë dhe vetë brenda punonjësve konsullorë në rast se kategorive të caktuara duhet t’u jepet asistencë, por kjo nuk përkthehet në sekserët e dikurshëm që ne i shihnim rreth e përqark ambasadës tonë në Athinë apo në Milano. Në këtë drejtim, jemi përpjekur që personat me aftësi të kufizuara, me një moshë të caktuar, t’i asistojmë, duke udhëzuar ambasadën tonë dhe shërbimin tonë konsullor që në raste të caktuara, të jenë fleksibël.
Çështja e tretë që është prioritet absolut i kësaj qeverie edhe me krijimin e pozicionit të ministrit të Shtetit për Diasporën, është vota e shqiptarëve jashtë atdheut. Ne besojmë që në momentin që do të materializohet kjo aspiratë, atëherë politika shqiptare do të jetë disa herë më e përgjegjshme ndaj nevojave dhe ekzigjencave, pasi do të jeni një zë përcaktues dhe për zhvillimet e brendshme politike. Në këtë kontekst, dua t’u informoj që janë bërë disa diskutime në Kuvendin e Shqipërisë, me pjesëmarrjen dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që asistojnë vendin tonë në këtë proces. Ka një platformë të qartë për t’u materializuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por, nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që për këtë proces të ketë një vullnet të qartë politik. Sot për sot, nuk kemi dëgjuar asnjë formacion politik në opozitë që të ketë kundërshtuar apo një alternativë ndaj kësaj aspirate, çka na bën të jemi optimistë që në zgjedhjet e tjera parlamentare ne, për herë të parë do t’i mundësojmë apo garantojmë votën çdo shqiptari jashtë atdheut. Por nga ana tjetër, ju e ndiqni debatin politik në Shqipëri. Na duhet që këtë proces ta kalojmë në hullinjtë e një mirëkuptimi politik dhe parlamentar për të vijuar më pas me garantimin e tij në praktikë. Ne, si MEPJ, përmes akteve normative dhe udhëzimeve të përbashkëta që kemi nxjerrë bashkë me MB, po kryejmë procesin e evidentimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut, sepse duke qenë se ju paraqiteni në “SHKO” apo shkoni fizikisht në konsullatë për shërbime që duhet të jeni atje, ju plotësoni disa të dhëna dhe ne, kemi mundësi për të verifikuar me bashkëpunimin tuaj këto të dhëna, për të garantuar kësisoj në mënyrë graduale dhe infrastrukturën e nevojshme që do të duhet të jetë në dispozicion të jetësimit të këtij prioriteti për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ne vetë, nëse do të shtoj dhe diçka në këtë kontekst, e kemi në vëmendje të madhe komunitetin jashtë atdheut. Kjo qeveri organizoi Samitin e parë të Diasporës ku patëm mundësinë të krijojmë një hartë të qartë të kontributeve, shoqatave, individëve që jetojnë e punojnë jashtë atdheut.
Sot për sot, ne kemi një bazë të dhënash më të pasur se sa dy vite më parë. Vitin tjetër, në mars organizojmë Samitin e dytë të Diasporës. Besoj, përmes këtyre proceseve, do të kemi mundësi të shtrojmë trasenë e kanalizimit të vullnetit, mbi të gjitha politik të shqiptarëve që jetojnë jashtë në zhvillimet e brendshme politike. Nuk është retorikë kur themi se keni qenë shtylla kurrizore e funksionimit të ekonomisë shqiptare dhe në ditët e saj më të vështira, tani është momenti që duhet të punojmë ne për ju.
Përgjigje pyetjes së qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Milano
Së pari, dhe këtu natyra e pyetjeve është e karakterit praktik, më duhet të bëj dhe një diferencim që është i nevojshëm. Të gjitha këto politika që synojnë lehtësimin e ofrimit të shërbimeve, në fakt nuk mund të jenë politika të njëanshme. Në shumë raste nevojitet vullneti i palës tjetër, në mënyrë që këto politika të jetësohen në praktikë dhe efektet të jenë të menjëhershme për qytetarët.
Mund të them që me Italinë ne gjithsesi kemi shkuar disi më thellë se me Greqinë. Kujtoj këtu para pak vitesh, ku për herë të parë mundësuam dhënien e certifikatës online, pa pasur nevojë që një shtetas që jeton në Itali të vinte, të priste disa ditë pranë zyrave të gjendjes civile. Në këtë drejtim, kemi bërë bashkë me qeverinë italiane disa punë të mira, por siç themi dhe ne, oreksi vjen duke ngrënë, dhe në këtë kontekst po shohim mundësi të tjera që do të lehtësonin dhënien e shërbimeve apo dhe aksesin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Itali, në sportelet tona konsullore.
Sot për sot, kërkoni një leje kalimi, mund të bësh një aplikim online, pa pasur nevojë për t’u paraqitur pranë sporteve konsullore. Ne po shohim mundësinë dhe besojmë në pak javë do realizojmë dhe atë që ju evidentuat. Pra, dhe në rastet fatkeqe ku shtetasit humbin pasaportën e tyre. Sot për sot, duhet të shkosh fillimisht në polici, e më pas nga policia, pas sportelit konsullor. Ne do të përpiqemi për të hequr njërën hallkë, pra policinë, për të shkuar automatikisht drejt sportelit konsullor për të reduktuar dhe kohën që do të nevojitet për zëvendësimin e pasaportës.
Përfitoj nga rasti për të bërë dhe një njoftim që ka efekt sensibilizues për vitin tjetër. Mbi bazën e inventarit që ne posedojmë si shtet, 2009-a ka qenë një vit kritik përsa i përket lëshimit të pasaportave biometrike për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Ka një numër të madh që janë pajisur në 2009. Viti tjetër përkon me skadimin e këtyre pasaportave, duke qenë se ato kanë një afat 10-vjeçar. Ne po punojmë me MB, me kompaninë që ka në koncesion procesin e përgatitjes së pasaportave, për ta menaxhuar sa më mirë këtë proces. Kemi fjalën kryesisht për administrimin e të dhënave personale, është një proces që përveçse kërkon precizion maksimal, merr dhe një afat kohor. Synimi ynë është për ta përgjysmuar këtë afat kohor. Sot për sot është 4 deri në 8 javë. Ne duam ta bëjmë dy javë.
Pyetja tjetër që u bë kishte lidhje me certifikimin e përkthimit të dokumenteve. Ka një proces burokratik që shoqërohet dhe me kosto, sepse janë dy hallka, ambasada dhe ministria. Ne kemi rënë dakord me qeverinë italiane që të shkurtojmë këtë proces. Njërën hallkë ta evitojmë që në rastin në fjalë do të ishte ambasada. Dhe procesin e certifikimit, të përkthimit, do ta marrë përsipër ministria dhe kjo do të reduktojë jo vetëm kohën, por dhe shpenzimet financiare të shtetasve që do të kenë nevojë për marrjen e këtij shërbimi.
Politika jonë e shërbimeve dhe tarifave për shërbimet konsullore kanë qenë në mënyrë konstante në rënie, dhe reduktim sa i përket shpenzimeve. E dimë që kemi jashtëzakonisht shumë për të bërë në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm, të ofrimit të shërbimeve tona konsullore. Ju që jeni në fund të ditës njerëzit që përballeni çdo ditë me vështirësitë apo përmirësimet që ofrojmë në dhënien e këtyre shërbimeve, me ju ne duam të vijojmë komunikimin e hapur ku të skicojmë së bashku rrugëzgjidhje të mundshme për çështje të tjera që nuk kemi arritur sot për sot në optikën tonë.