Nje vit pas iniciativës së Ambasadës së RSH-së në Athinë, për të promovuar elitën e komunitetit shqiptar, nëpërmjet Rubrikës “Histori Suksesi”, u zhvillua një mbrëmje Gala dedikuar personazheve që kanë një kontribut të vyer në diasporën shqiptare në Greqi.
Rubrika “Histori Suksesi” përfshin personalitete nga të gjitha fushat e jetës, si arti, kultura, shkenca, gazetaria, biznesi, mjekësia, literatura, drejtësia, etj. Duke treguar në mënyrë narrative rrugëtimin personal dhe profesional të tyre, Ambasada promovon jo vetëm vlerat e tyre individuale, por edhe impaktin dhe ndikimin që ata kanë në krijimin e një imazhi ndryshe të Shqipërisë. Ata janë trajtuar jo vetëm si personalitete që me profesionin e tyre kanë ndikuar ne jetën sociale greke, por edhe si modele që e kthyen rrugëtimin e tyre si emigrantë në histori suksesi.
Komuniteti shqiptar tashmë ka krijuar elitën e saj intelektualë në Greqi që shërben si një simbol, si një urë lidhëse mes dy vendeve dhe kulturave, si model i bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Siç theksoi edhe Ambasadorja Luela Hajdaraga në fjalën e saj përshëndetëse, të gjithë këto personazhe më përkushtimin e tyre të palëkundur, jo vetëm kanë pasuruar tablonë kulturore të Greqisë, por njëkohësisht kanë shërbyer edhe si një burim frymëzimi për të gjithë.
Gjatë eventit u prezantuan figura të njohuara jo vetëm në Greqi por edhe më gjerë, përmendim këtu legjendën e futbollit shqiptar Foto Strakosha, violinçelistin e njohur Renato Ripo, primo-balerinin Danilo Zeka, sipërmarrësin Vasil Llajo, gazetarët e mirënjohur Robert Goro dhe Artur Bibe, piktorin Helidon Haliti apo skulptorin Ilirian Shima, aktorin Nikolla Llambro, akademikun Iljaz Bobaj, shkrimtarin Thanas Medi dhe shume emra të fushave të tjera.
Nën kolonën zanore të këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, interpretuar mjeshtërisht nga e madhja Vaçe Zela u shfaq një kolazh me 52 personazhet e promovuar përgjatë këtij viti, të cilit u vlerësuan nga Ambasadorja znj. Hajdaraga.
Ky aktivitet çeli edhe siparin e “nëntorit shqiptar” që organizohet nga Ambasada për të tretin vit radhazi me aktivitete për komunitetin shqiptar në Greqi.
Një aktivitet i bukur plot miq të mirë!