Në ditën e dytë të qëndrimit në Bullgari, Ministri Bushati u takua me Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev dhe mori pjesë në Sesionin e 126-të të Ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili zhvilloi punimet në Sofje.
Në takimin me Presidentin Plevneliev, palët evidentuan marrëdhëniet shumë të mira tradicionale të miqësisë që ekzistojnë mes dy vendeve tona si dhe shprehën vullnetin e përbashkët për avancimin e këtyre marrëdhënieve në një nivel më të lartë. Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë, bashkëbiseduesit theksuan veçanërisht rëndësinë e ndërlidhjes energjetike dhe infrastrukturore midis Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Një vend të rëndësishëm gjatë diskutimeve zunë edhe zhvillimet në rajon, sfidat e sigurisë në kontinent, bashkëpunimi në kuadër të nismave rajonale, si dhe avancimi në proceset integruese euro-atlantike. Në këtë kontekst, Ministri Bushati vlerësoi angazhimin e Bullgarisë në mbështetje të Shqipërisë dhe rajonit në rrugëtimin euro-atlantik. Gjithashtu, diskutimi u ndal në transferimin e përvojës së mirë bullgare në menaxhimin e fondeve evropiane si mundësi për zhvillimin ekonomik dhe social.
Ministri Bushati mori pjesë në punimet e Ministerialit të Këshillit të Evropës, në fokus të të cilit ishte situata e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor në vendet e Këshillit të Evropës, duke trajtuar edhe aspekte të veçanta të sigurisë demokratike në kontinentin tonë.
Ministrat miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme mbi rolin e Këshillit të Evropës në përgjigje të krizës aktuale të refugjatëve, fenomeneve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit, si dhe sfidave të sigurisë në Evropë.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi raportin e paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm Jagland mbi rolin e Këshillit të Evropës në realizimin dhe avancimin e sigurisë demokratike të kontinentit tonë. Duke u ndalur në shtyllën e parë të sigurisë demokratike, sistemit gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur, Ministri Bushati theksoi se: "Shqipëria me kontributin e posaçëm të Komisionit të Venecias ka ndërmarrë një reformë të thellë, të plotë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë. Reforma kërkon një angazhim serioz dhe kompromisin e të të gjitha forcave politike në vend, pasi miratimi i kësaj reforme përbën një kusht sine qua non për axhendën evropiane të vendit".
Në fjalën e tij, Ministri u ndal edhe mbi angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj, duke evidentuar faktin se po punohet për të krijuar në Shqipëri në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, një qendër rajonale në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ministri Bushati evidentoi punën që po bëhet në bashkëpunim me shoqërinë civile, median, bashkësitë fetare në drejtim të edukimit të brezave të rinj me dijen e nevojshme, për t’iu kundërvënë urrejtjes dhe diskriminimit dhe për të punuar në vazhdimësi për një kohezion social.
Gjithashtu, Ministri Bushati u ndal në krizën migratore dhe terrorizmin, stereotipet negative në rritje dhe nevojën për një reagim të përbashkët, për përgjigje ndaj këtyre sfidave. Ai mbështeti rolin e veçantë të Këshillit të Evropës në ankorimin e Kosovës në komunitetin evropian të vlerave dhe nevojën për një anëtarësim të Kosovës në Këshill duke u shprehur se: "Sa më shpejt të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës, aq më shpejt qytetarët e saj do të ndjejnë mbrojtjen që ofron sistemi ynë i Konventave".
Në përfundim të punimeve të sesionit Ministerial, Kryesia e radhës e Këshillit të Evropës i kaloi Estonisë për 6 muajt e ardhshëm