Me sukses u zhvillua Festivali i Gastronomisë Shqiptare në Universitetin New York College në Athinë, një traditë vjetore e organizuar nga Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi-Σύνδεσμος Αλβανίδων Γυναικών στην Ελλάδα. Ky festival shndërroi ditën në një festë të jashtëzakonshme të kulturës dhe trashëgimisë sonë të pasur.
Në një atmosferë festive dhe mikpritëse, pjesëmarrësit patën mundësinë të shijonin një gamë të gjerë gatimesh tradicionale, duke përfshirë specialitete të njohura për shijet e tyre autentike dhe historinë që ato mbartin. Aktiviteti përfshinte ekspozita me vepra artistike të punuara me dorë nga artistët shqiptarë, si dhe paraqitje të veshjeve popullore, valleve dhe muzikës shqiptare.
Në fjalën e saj, Ambasadorja, znj. Luela Hajdaraga, pasi vlerësoi kontributin e organizatorëve për suksesin e aktivitetit, theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore përmes gastronomisë, si dhe ndikimin e saj në forcimin e lidhjeve mes komuniteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, duke vënë në dukje se Ambasada mbështet çdo iniciativë që promovon traditat dhe kulturën shqiptare në diasporë, duke e pozicionuar Shqipërinë si një destinacion turistik të pasur me përvoja unike kulinare.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin gjithashtu Nën Kryetari i Bashkisë së Athinës për Integrimin Social të Imigrantëve, z. Thanasis Himonas, Kryetarja e Komuniteti Shqiptar Greqi, znj. Rovena Xhori, poetja dhe autorja e mirënjohur shqiptare, dhe drejtuese e Shtëpisë Botuese ‘‘Albas’’ znj. Rita Petro, si dhe Drejtuesja e Forumit Grek të Imigrantëve, znj. Adla Sasati.
Faleminderit të gjithë anëtarëve të komunitetit tonë për përkushtimin e tyre në promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare në Greqi.
Së bashku, ne vazhdojmë të ndihmojmë në ruajtjen dhe shpërndarjen e trashëgimisë sonë kulturore!