Pika Kufitare Kakavijë - U zhvillua ceremonia e hapjes së Qendrës të Përbashkët të Kontaktit të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në këtë ceremoni morën pjesë Zëvendës Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, z. Andi Mahila dhe Zëvendës Ministri i Mbojtjes së Qytetarit të Republikës së Greqisë, z. Eleftherios Oikonomou.
Të pranishëm ishin Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Athinë, znj. Luela Hajdaraga, Ambasadorja e Republikës së Greqisë në Tiranë, znj. Konstantina Kamitsi, zyrtarë të lartë të autoriteteve policore dhe doganore nga të dy vendet, dhe personalitete të tjera.
Pas ceremonisë vijoi nënshkrimi i rregullores nga anëtarët e Komisionit, takimi dypalësh mes Zëvendës Ministrave, si dhe mbledhja e parë e Komisionit të Përbashkët.
Funksionimi i Qendrës parashikon bashkëpunim 24 orësh mes personelit policor dhe doganor të të dy vendeve, të cilët do të punojnë në drejtim të shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve kompetente ligjzbatuese dhe të përmirësimit praktik të bashkëpunimit kufitar për kontrollin e krimit të organizuar ndërkufitar dhe imigracionit të paligjshëm.
Një tjetër hap që tregon vendosmërinë e qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë për garantimin e sigurisë së qytetarëve të tyre.