Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Hungari, z. Ilirian Kuka, zhvilloi një takim pune me z. Márton Hajdu, Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, gjatë të cilit u trajtuan çështje me interes për marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-hungareze, zhvillimet rajonale dhe procesi i integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të dialogut politik dhe institucional në të gjitha nivelet. Ambasadori Kuka falënderoi autoritetet hungareze për mbështetjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, si dhe për qëndrimin e saj konstruktiv në mbështetje të zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e tij, z. Hajdu rikonfirmoi mbështetjen e Hungarisë për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe vlerësoi progresin e vendit në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se Shqipëria mbetet një partner i rëndësishëm për Hungarinë në rajon dhe se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është prioritet i qeverisë hungareze.
Z. Hajdu u ndal gjithashtu te rëndësia e diplomacisë parlamentare dhe informoi se në muajin shtator pritet të formalizohet Grupi i Miqësisë Hungari-Shqipëri në Parlamentin hungarez. Ai e konsideroi këtë zhvillim si një instrument të rëndësishëm për rritjen e kontakteve ndërparlamentare dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në vijim, z. Hajdu nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë, duke evidentuar interesin e bizneseve hungareze për tregun shqiptar dhe potencialin ekzistues për zgjerimin e investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ai vlerësoi gjithashtu zhvillimin e turizmit në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga pikat më të forta të ekonomisë shqiptare dhe një sektor me potencial të madh për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh.
Newsroom
Takim pune me z. Márton Hajdu, Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Asamblesë Kombëtare të Hungarisë


