Në vijim të nismës një vjeçare, të iniciuar nga Ambasada jonë dhe të mbështetur edhe nga trupi diplomatik i akredituar në Budapest, si viti i Bamirësisë në nder të Nënë Terezës dhe shpalljen e datës 5 shtator, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë nga AP e OKB-së me iniciativë të Hungarisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest së bashku me Bashkinë e Budapestit, organizuan ceremoninë e inagurimit të bustit të Nënë Terezës në sheshin po me të njëjtin emër në Budapest. Shesh të cilin Ambasada jonë e inaguroi para 2 vjetësh me rastin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë. Në këtë inagurim mori pjesë, znj.Aniko Levai (Orban), bashkëshortja e Kryeministrit hungarez z. Viktor Orban, Kryerari i Bashkisë z. Zoltan Pokorni, Nunci Apostolik si dhe Dekan i Trupit Diplomatik, Monsignor Alberto Bottari de Castello, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të MPJ të Hungarisë, përfaqësues të klerit katolik, motrat e Nënë Terezës, diaspora jonë si dhe përfaqësues të medias dhe miq të Shqipërisë. Në fjalën e saj Ambasadorja Hoxha, si nismëtare e këtij projekti, falenderoi të ftuarit dhe shprehu me përulësi vlerat dhe dashurinë e madhe që bija e Shqipërisë, Nënë Tereza, i fali mbarë njerëzimit. Vendosja e statujës së Nënë Terezës, veç vlerave simbolike të humanizmit, është dhe një tregues i marrëdhënieve mes dy vendeve tona shtoi në fjalën esaj Ambasadorja Hoxha. Nënë Tereza është simboli i shpirtit shqiptar, i harmonisë fetare e cila është edhe një nga dhe arsyet kryesore të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Ambasadorja Hoxha, falenderoi gjithashtu Bashkinë e Budapestit, të cilët iu përgjigjën menjëherë kërkesës së komunitetit shqiptar në Budapest për të pasur një statujë të Nënë Terezës si dhe për mikëpritjen që ka treguar kyqytet për diasporën tonë. Më pas fjalën e mori zonja Aniko Levai, e cila falenderoi në mënyrë të veçantë Ambasadën e Shqipërisë për këtë nisëm, si dhe çmoi vendosjen e statujës së Nënë Terezës, si një simbol dashurie dhe besimi, i cili duhet të na bëjë të reflektojmë çdo ditë. Gjithashtu zonja Levai e cilësoi Nënë Terezën si një shëmbull i sakrificave të mëdha nga i cili duhet të marrë çdokush për të jetuar në një botë më të mirë dhe më me shpresë në një altruizëm të munguar. Në mbrëmjen e datës 5 Shtator, Ambasada jonë së bashku me Ambasadën Italiane, në cilësinë e Presidencës së BE-së, Bashkinë e Distriktit 12, Nunciaturën Apostolike, Ambasadën e Kosovës dhe Qëndrën Kulturore MOM, organizuan një Koncert Bamirësie, fondet e së cilit shkuan në ndihmë të Fondacionit të Fëmijëve të Verbër. Ky aktivitet u organizua në ambjentet e MOM Cultur Center në Budapest, ku performuan koncert-pianistja Almira Emiri, e cila është njëkohësisht edhe atasheu i kulturës i Ambasadës tonë, znj.Rina Kaçinari, çeliste nga Kosova, sopranoja italiane znj. Frederica Vinci si dhe flautistja hungareze, znj. Vamosi Nagy Zsuzsa. Pas koncerti u shtrua dhe një banket i rastit.