Busti i Skënderbeut vendoset në Budapest

Me një ceremoni të denjë për heronjtë, më 5 korrik 2021, në Városliget (Parku i qytetit) u inaugurua një projekt i bukur që mbart simbolikën e miqësisë shekullore mes shqiptarëve dhe hungarezëve. Në prani të Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, të Presidentit të Hungarisë, z. János Áder, të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, të Kryetarit të Bashkisë së Budapestit, z. Gergely Karácsony, të bashkatdhetarëve nga Shqipëria, Kosova e nga vise të tjera, si dhe në prani të shumë miqve të dashur hungarezë, busti i Skënderbeut, hero i të gjithë evropianëve që besojnë te qëndresa për një ideal të çmuar, siç është LIRIA, u vendos në Budapest.
Metafora e kështjellës, ku shumë miq e kolegë, shqiptarë e hungarezë, kanë vendosur si kontribut gurin e tyre, i përshtatet më së miri këtij projekti. Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, i shprehim mirënjohjen Presidentit Ilir Meta, që si patron i bustit të Skënderbeut bashkë me Kryetarin e Parlamentit László Kövér, e ka pasur përherë në zemër këtë projekt simbolik dhe i ka qëndruar pranë në të gjitha fazat; Ish-Kryetarit të Bashkisë së Budapestit, z. István Tarlós, që nxiti realizimin e tij; Kryetarit aktual të Bashkisë së Budapestit, z. Gergely Karácsony, që impenjoi stafin e Bashkisë për ta parë të përfunduar këtë projekt sapo rrethanat e mundësuan. Në fund, por jo nga rëndësia, mirënjohje Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, që me vullnet, këmbëngulje dhe dashamirësi e bëri të prekshme idenë e bustit të Skënderbeut në Budapest.
Sipas historianëve, rrethanat e kohës dhe pengesat objektive e bënë të pamundur që Skënderbeu ynë të takohej me heroin hungarez János Hunyadi në fushën e betejës. Bashkarisht arritëm t’i kapërcejmë pengesat e t’u mundësojmë heronjve tanë të takohen në qendër të Budapestit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Budapest 1062;
Andrassy ut 132; 2/3, Hungary

Tel / Fax

Tel: +3613361098
Fax. +3613361098
Numri i emergjencave +36 30 201 3676

E-MAIL

embassy.budapest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E enjte: 8:30-17:00
E premte: 8:30-14:30

Shërbimi konsullor
E hënë - E premte: 10:00-12:00