Ministri Bushati vizite zyrtare ne Budapest

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë në Hungari, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto.

Dy Ministrat rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë e Hungarisë dhe shprehën vullnetin për t’i intensifikuar ato më tej, duke u fokusuar në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, me qëllim thithjen e investimeve hungareze në tregun shqiptar. Palët vlerësuan trendin pozitiv të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve gjatë viteve të fundit dhe shprehen angazhimin për të punuar më tej në shfrytëzimin e potencialit të lartë ekzistues. Referuar bashkëpunimit dhe intensifikimit të këtyre shkëmbimeve, Ministrat vlerësuan rivendosjen e linjës ajrore direkte Tiranë-Budapest e cila do të ndodhë brenda këtij viti, duke shprehur bindjen mbi ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në nxitjen e bashkëpunimit dypalësh, në të gjitha fushat.

Ministri Bushati e njohu kolegun hungarez me kursin e reformave për 5 prioritetet kyçe të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, përfshirë reformën në drejtësi, si një reformë me rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e shtetit ligjor në vend dhe me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve shqiptarë, sundimin e së drejtës në ekonomi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe radikalizmit. 

Ministri Szijjarto shprehu mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandryshueshme të Hungarisë për procesin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në rrugëtimin evropian të vendit, duke ofruar në të njëjtën kohë ekspertizën hungareze në këtë proces. Ai theksoi se "Hungaria mbështet hapjen e menjëhershme dhe pa vonesa të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, pasi procesi i integrimit evropian është thelbësor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor".

Referuar zhvillimeve më të fundit në rajon, Ministrat u ndalën tek rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal, i cili ka marrë në shtysë të re në kuadër të Procesit të Berlinit. Ministri Bushati vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vendeve të Grupit të Vishegradit, përfshirë Hungarinë, në krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë sipas modelit të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, duke  nënvizuar rëndësinë e fillimit sa më parë të aktivitetit të tij, si dëshmi konkrete e bashkëpunimit rajonal.

Ministri i Jashtëm hungarez Szijjártó u ndal tek roli i Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s në rajon, duke siguruar homologun shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. 

Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Bushati mbajti edhe një fjalë në Institutin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, me temë: "Integrimi evropian i Shqipërisë dhe bashkëpunimi rajonal" . Ministri iu përgjigj interesit të të pranishmëve mbi çështje që lidhen me zhvillimet më të fundit në rajon, rolin e politikës së jashtme shqiptare dhe ecurinë e proceseve integruese të rajonit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Budapest 1062;
Andrassy ut 132; 2/3, Hungary

Tel / Fax

Tel: +3613361098
Fax. +3613361098
Numri i emergjencave +36 30 201 3676

E-MAIL

embassy.budapest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E enjte: 8:30-17:00
E premte: 8:30-14:30

Shërbimi konsullor
E hënë - E premte: 10:00-12:00