Vizita Zyrtare e Presidentit Meta në Budapest

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, u prit nga Presidenti i Republikës së Hungarisë, János Áder, në Sheshin Szent György. Pas interpretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas bisedimet e zgjeruara zyrtare.

Në vijim deklarata e plotë për shtyp e Presidentit Meta.

Sot, kam nderin dhe kënaqësinë që të zhvilloj një vizitë zyrtare në Budapest me ftesë të Presidentit Áder, dhe përfitoj nga rasti ta falënderoj edhe njëherë për mikpritjen e ngrohtë e shumë miqësore që më krijoi.

Konstatoj me shumë kënaqësi interesin e përbashkët në rritje për ta thelluar bashkëpunimin dypalësh e forcuar atë gjithnjë e më shumë.

Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera, dhe sa historike aq edhe tradicionale.

Ato janë zhvilluar dukshëm në traditën e tyre më të mirë, që datojnë që nga mesjeta me bashkëpunimin mes heronjve tanë Skënderbeu e Huniadi, e më pas në kuadër të krijimit të shtetit modern shqiptar e deri në ditët e sotme.

80 vite më parë, Shqipëria pati për Mbretëreshë, konteshën hungareze Geraldine Appony, ose ndryshe të quajtur Trëndafili i Bardhë i Hungarisë.

Po ashtu, vetëm katër vite na ndajnë nga kremtimi i 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe takimi i sotëm me Presidentin Áder ma forcoi bindjen se do ta kremtojmë këtë përvjetor me rezultate shumë pozitive.

Përfitova nga rasti që t’i shpreh mikpritësit tim, Presidentit Áder, mirënjohjen e thellë të Shqipërisë e të shqiptarëve për mbështetjen që i kanë dhënë në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe BE.

Një vëmendje të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit dypalësh dhe atij në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

Vlerësuam se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë ende të pashfrytëzuara sa duhet dhe vëllimi i shkëmbimeve tregtare është ende modeste dhe larg potencialeve të të dy vendeve.

Një rol shumë pozitiv në këtë drejtim po luan rivendosja e linjës ajrore direkte midis kryeqyteteve tona, si dhe funksionimi i dhomës hungareze të tregtisë në Tiranë (Hungarian National Trading House).

Linja ajrore pothuaj e ka trefishuar brenda një viti numrin e hungarezëve që kanë vizituar Shqipërinë, si dhe i ka dhënë një mundësi më të madhe komunikimit e kontakteve të drejtpërdrejta midis sipërmarrësve të të dy vendeve.

Jam i sigurt se ky interes do të vijë duke u rritur, falë edhe mekanizmit të kreditimit që Qeveria hungareze për Shqipërinë në vlerë prej 204 milion Euro.

Mundësitë janë të shumta, veçanërisht në fushën e turizmit, bujqësisë, përpunimit agro-ushqimor, ambientit e menaxhimit të ujërave e mbetjeve urbane, energjinë e rinovueshme, etj.

Shqipëria është shumë e pasur me burime ujore dhe bashkëpunimi i shkëlqyer midis Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Budapestit për menaxhimin e ujrave mund të shtrihet edhe në qytete apo komuna të tjera.

Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam edhe plotësimit të kushteve nga Shqipëria për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk është periudha më e mirë për Bashkimin Evropian, por shpresojmë se në fund të këtij muaji të gjitha Vendet Anëtare të saj do të mbështesin çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

E falënderova Presidentin Áder dhe qeverinë hungareze për mbështetjen e vazhdueshme e të qartë, që na motivuar më shumë për të vijuar në rrugën e mundimshme të reformave.

Besoj se Hungaria do të kontribuojë në arritjen e konsensusit të nevojshëm brenda BE-së në këtë drejtim.

Sigurisht që diskutuam edhe mbi zhvillimet e përgjithshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe frymën e re të bashkëpunimit që po forcohet dita-ditës në këtë rajon.

Vlerësova gjithashtu rolin e madh që Hungaria ka luajtur edhe në kuadër të Grupit të Vishegradit V4, veçanërisht gjatë mbajtjes së Kryesisë së radhës 2017-2018.

Hungaria është një vend fqinj i rajonit tonë dhe shumë e interesuar për stabilitetin dhe zhvillimin e tij dhe ne e vlerësojmë shumë rolin e saj në këtë drejtim.

Gjatë kësaj vizite zyrtare do të kem nderin të pritem në takime të veçanta edhe nga Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit.

Jam i sigurt se edhe takimi me ta do të jetë në të njëjtën frymë miqësie e bashkëpunimi.

Edhe njëherë, faleminderit i nderuar President Áder për ftesën, për mikpritjen e ngrohtë e miqësore, si dhe për mundësinë që më dhatë të vizitoj zyrtarisht Hungarinë e të takohem me ju e autoritetet të larta të vendit tuaj.

Faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Budapest 1062;
Andrassy ut 132; 2/3, Hungary

Tel / Fax

Tel: +3613361098
Fax. +3613361098
Numri i emergjencave +36 30 201 3676

E-MAIL

embassy.budapest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E enjte: 8:30-17:00
E premte: 8:30-14:30

Shërbimi konsullor
E hënë - E premte: 10:00-12:00