Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, priti në Tiranë, në një vizitë zyrtare, homologun e tij izraelit, Ministrin e Punëve të Jashtme, Gideon Sa’ar, duke rikonfirmuar miqësinë e fortë dhe partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve. Takimi u fokusua në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat e sigurisë rajonale dhe globale. Një nga momentet kryesore të vizitës ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila krijon një kuadër gjithëpërfshirës për zgjerimin e bashkëpunimit ndërqeveritar në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.
Të dy ministrat vlerësuan zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve në fushën e turizmit dhe theksuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet. Ministri Hoxha rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sigurinë e Izraelit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për një zgjidhje afatgjatë që garanton paqe, stabilitet dhe siguri për të gjithë rajonin. Ai ritheksoi gjithashtu angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje. Gjatë vizitës, Ministri Sa’ar vizitoi gjithashtu një ekspozitë arkivore që dokumenton traditën historike shqiptare të mbrojtjes dhe strehimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull krenarie në historinë e vendit tonë.
Vizita shënoi një hap të rëndësishëm drejt thellimit të mëtejshëm të lidhjeve historike të miqësisë dhe zgjerimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit.



