Dr. Anila Bitri Lani, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Republikën Italiane
Dr. Anila Bitri Lani është akredituar më 20.06.2016, Ambasadore Rezidente e Republikës së Shqipërisë në Republikën Italiane dhe Ambasadore Jorezidente në Republikën e Maltës, në Republikën e San Marinos, dhe akredituar pranë organizatave ndërkombëtare FAO, IFAD dhe WFP.
Nga viti 2011 deri në marrjen e detyrës në Romë në 20.06.2016, Ambasadorja Bitri ka shërbyer si Drejtore e Akademisë Diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë . Ambasadorja Bitri ka qenë Drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve Dypalëshe me Europën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nga vjeshta e vitit 2008 deri në dhjetor të vitit 2010.
Në dhjetor 2002, ajo u dekretua Ambasadore e Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, ku shërbeu deri në tetor të 2008-ës. Bitri ishte e akredituar gjithashtu si Ambasadore Jorezidente në Mbretërinë e Marokut dhe në Mauritani për periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2010.
Përpara se të angazhohej në Shërbimin e Jashtëm, Ambasadorja Bitri ka ushtruar si pedagoge, Titullare e lëndës së Historsë së Mesjetës Europiane dhe Botërore, në Katedrën e Historisë Botërore, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, të Universitetit të Tiranës.
Në vitin 2002 Ambasadorja Bitri është dekoruar me Urdhërin e Oficerit për Merita Civile, akorduar nga Mbreti i Spanjes, Juan Carlos I. Në përfundim të shërbimit të saj në Spanjë, ajo u dekorua gjithashtu me Urdhërin e Lartë të Damës së Madhe të Urdhërit të Isabelës Katolike, akorduar nga Mbreti i Spanjës, Juan Carlos I, me Dekretin Mbretëror të datës 30 prill 2009.
Ambasadorja Bitri është e martuar dhe ka një vajzë, Kristina.