
Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko zhvilloi një vizitë pune në Itali më 14 dhe 15 shkurt 2019, ku u takua me përfaqësues të Konfederatës Kombëtare të Zejtarisë (KKZ). Gjatë këtij takimi u diskutuan detajet konkrete për krijimin e Dhomës së Tregtisë për Diasporën Shqiptare në Itali (DHTDSHI), e cila në bashkëpunim me Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës do të jetë një pikë mbështetëse për biznesin e vogël dhe të mesëm të krijuar nga shqiptarët e vendosur në Itali.
Gjatë vizitës ministri i Shtetit për Diasporën zhvilloi një takim me rrjetin e e avokatëve shqiptar në Itali. Në takimin e kryer në ambientet e një prej institucioneve enciklopedike me prestigjioze në botë, “Treccani”, pati diskutime të shumta mbi situatën e shqiptarëve në Itali dhe rrjetëzimin e shqiptarëve në vendin fqinj.
“Diaspora shqiptare, pikënisje për formimin dhe zhvillimin e Europës”, ishte tema e seminarit të organizuar nga “Integra Onlus” dhe fondacioni “Ura për të ardhmen” më 15 shkurt, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Shtetit për Diasporën. Ky ishte diskutimi i parë i një cikli të plotë seminaresh të cilët do të mbahen në të ardhmen me fokus kryesor Diasporën.