Ambasadorja e Shqipërisë, Zhaklina Peto, zhvilloi një drekë pune me Nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj. Takimi u zhvillua në kuadër të komunikimit të vazhdueshëm me përfaqësues të institucioneve malazeze dhe të ndjekjes së zhvillimeve me interes për komunitetin shqiptar në Mal të Zi.
Gjatë bisedës u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe disa prej çështjeve që lidhen me funksionimin e pushtetit vendor dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale. Një vëmendje iu kushtua edhe debatit të fundit rreth ndryshimeve të propozuara në kuadrin ligjor për vetëqeverisjen lokale.
Biseda u karakterizua nga një shkëmbim i hapur pikëpamjesh mbi zhvillimet aktuale dhe dinamikat brenda faktorit politik shqiptar në Mal të Zi. Takimi konfirmoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe të ndjekjes nga afër të çështjeve me rëndësi për komunitetin shqiptar.


