Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi më 5 dhe 6 gusht një vizitë në Ulqin, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 25-të të Panairit të Librit. Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi rëndësinë e librit dhe të gjuhës shqipe për ruajtjen e kulturës dhe identitetit, duke theksuar se libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare.
Gjatë qëndrimit në Ulqin, Presidenti Begaj u prit në takim nga kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu. Në fokus të bisedës ishin zhvillimi i Ulqinit, projektet e komunës, sfidat me të cilat përballet zona dhe forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe atyre malazeze. Begaj vlerësoi gjithashtu rolin e Ulqinit si një qendër e rëndësishme e komunitetit shqiptar në Mal të Zi.
Gjithashtu, Presidenti Begaj zhvilloi një takim me përfaqësues të faktorit politik shqiptar në Ulqin, ku u diskutua për çështjet që lidhen me përfaqësimin dhe të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Presidenti Begaj riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për komunitetin shqiptar dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit, ndërsa nënvizoi se Ulqini dhe komunat me shumicë shqiptare mbeten ura të rëndësishme të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.



