Universiteti i Malit të Zi ka miratuar ndryshime në rregullat për njohjen e kualifikimeve të huaja arsimore, duke thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurat për njohjen dhe barasvlerësimin e diplomave.
Sipas rregullave të reja, kandidatët nuk do të jenë më të detyruar të sigurojnë vetë përkthimin e dokumentacionit të lëshuar në gjuhët në përdorim zyrtar në Mal të Zi, përfshirë gjuhën shqipe. Përkthimi do të sigurohet nga vetë Universiteti, duke reduktuar ndjeshëm kostot financiare dhe barrierat administrative për studentët.
Ky ndryshim është veçanërisht i rëndësishëm për studentët shqiptarë që kanë përfunduar studimet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët deri më tani përballeshin me kosto dhe procedura shtesë për përkthimin e dokumentacionit akademik në gjuhën malazeze.
Kjo çështje është ndjekur nga afër nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi dhe është adresuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi. Ambasada shpreh vlerësimin për gatishmërinë dhe angazhimin e Ministres Anđela Jakšić-Stojanović në adresimin e kësaj problematike dhe në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete në interes të studentëve shqiptarë.
Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm në lehtësimin e procedurave akademike dhe administrative për studentët shqiptarë, si dhe një tjetër shembull të bashkëpunimit institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi në fushën e arsimit.



