Cakaj në Ministerialin e NATO-s në Uashington: 70 vjet Aleancë Euro-Atlantike

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në punimet e Ministerialit të jashtëm të NATO-s, i cili u mbajt në Uashington me rastin e 70 vjetorit të themelimit të Aleancës së saj.
Të mërkurën në mbrëmje ministrat u mblodhën në Andrew W.Mellon Auditorium, salla në të cilën 70 vjet më parë u firmos Traktati i Aleancës se Veriut. Aktiviteti shënoi festimin e 7 dekadave paqe, prosperiteti dhe sigurie për afro 1 miliardë njerëz të hapësirës Euro-Atlantike, si dhe një mundësi për të parë të ardhmen sëbashku.
Aleanca solli përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe ndihmoi në rivendosjen e  paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Në solidaritet me SHBA-të pas sulmeve të 11 shtatorit, NATO evokoi për herë të parë artikullin 5 të Traktatit të Uashingtonit për  mbrojtjen kolektive.
Dita e sotme u fokusua në disa çështje si marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë, rolin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit, si dhe angazhimet e Aleatëve për shpenzimet në fushën e mbrojtjes.
Ministrat shprehën shqetësimin për  e Rusisë, përfshirë edhe veprimet agresive ndaj Ukrainës dhe sekuestrimin e anijeve dhe ekuipazheve të saj në detin Azov. Njëzëri ranë dakort për masat e reja për të përmirësuar nivelin e kontrollit të sigurisë në rajonin e Detit të Zi, si dhe për të mbështetur më tej partnerët e rajonit si Gjeorgjia dhe Ukraina.
Ministrat shprehën shqetësimin për zhvillimin dhe vendosjen nga Rusia të armëve që janë në shkelje të traktatit të raketave me rreze të mesme veprimi INF. Në takimin mbi luftën kundër terrorizmit ministrat e jashtëm diskutuan gjithashtu mbi kontributet e mëtejshme të Aleancës në luftën kundër terrorizmit, me fokus të veçantë Afganistanin, Irakun dhe kontributet e pjesëmarrjes në kualicionin global për mposhtjen e ISIS.
Në kuadër të luftës kundër terrorizmit Aleanca do të vazhdojë të trajnojë autoritetet e sigurisë vendase për t’i bërë ato më të afta e më të suksesshme. Ajo mbetet e angazhuar për të bërë më shumë në rritjen e bashkëpunimit me partnerët e tjerë të Rajonit si Jordania dhe Tunizia.
Ministrat mbështetën përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për paqen në Afganistan dhe riafirmuan vendosmërinë e tyre për të qëndruar atje për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ato riafirmuan gjithashtu angazhimin për të rritur kontributet e tyre për mbrojtjen dhe sigurinë Euro-Atlantike, si dhe arritjen e objektivave të vendosura në Samitin e Wellsit për rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes.
Ministri në Detyrë Cakaj, duke iu referuar 10 vjetorit të Shqipërisë në Aleancë nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të Aleancës dhe kontributit që ka sjellë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në hapësirën Euro-Atlantike, veçanërisht ne Ballkanin Perëndimor. Ai vuri theks të veçantë në vazhdimin e mbështetjes së aspiratave Euro-Atlantike të rajonit dhe mbështetjes më konkrete në procesin e integrimit Evropian.
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj nënvizoi rëndësinë që Aleanca të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje të posaçme këtij rajoni. Gjithashtu ai rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të avancuar me rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes dhe vuri në dukje rolin e vendit tonë  në Aleancë dhe kontributet e saj për sigurinë kolektive përfshirë ato në Kosovë, Misionin “Rezolute Support” në Afganistan, Detin Egje dhe Letoni.
Në margjinat e Ministerialit Ministri në Detyrë Cakaj, zhvilloi një takim me Zëvendësekretaren e Përgjithshme të NATO-s Rose Gottemoeller me të cilën shkëmbyen mendime mbi situatën në rajon, sfidat e sigurisë, rolin e Shqipërisë në NATO dhe bashkëpunimin e metejshëm me Aleancën me fokus të veçantë në investimet e kësaj të fundit në Shqipëri, si dhe një serë takimesh me homologë të tij.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Hoge Nieuwstraat 22, 2514 EL The Hague ,
2518 BD The Hague

Tel / Fax

Tel. +31 70 427 2101
Fax. +31 70 427 2083
Nr. i emergjences : +31625275289

E-MAIL

embassy.hague@mfa.gov.al
embalba@xs4all.nl

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:30 - 16:30