Zoti President i Republikës,
Shkëlqesi dhe të ftuar nga vendet partnere,
Oficerë, nënoficerë dhe efektivë të Forcave të Armatosura!
Në 10-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, që në fakt përkon me 20-vjetorin e fillimit të një bashkëpunimi të ngushtë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, Shqipëria përgatitet të nisë veprën e rëndësishme të ndërtimit të bazës së NATO-s në Kuçovë, e cila do të jetë një prej bazave më moderne dhe më të mëdha të NATO-s në këtë rajon.
Ky fakt është simbolikë e bukur e këtij jubileu, sepse baza, e konceptuar si një nga pikat e referimit të aleancave tona strategjike, do të shndërrohet nga një bazë e lindur për t’u mbrojtur nga NATO në një bazë të rilindur të NATO-s.
Një rajon që prej pas më shumë 100 vitesh luftë dhe konfliktesh të pandërprera, falë edhe NATO-s, Ballkani gëzon sot, më në fund, një periudhë paqeje, ripajtimi dhe përpjekjesh për bashkëpunim të ndërsjelltë, me një qasje të spikatur integruese ushtarake, ekonomike dhe politike.
Megjithatë të mos e harrojmë asnjëherë Presidentin Kennedy, i cili thoshte se, “Paqja nuk është një e mirë e përditshme, por një proces i pandërprerë, një përpjekje e përditshme, përmes së cilës rrëzojmë barrierat e vjetra, për të ndërtuar në heshtje themele të reja”.
Sot, ne s’jemi më armiqtë e njëri-tjetrit, por jemi së bashku kundër armiqve të rinj. Ekstremizmi i dhunshëm, pavarësisht kapitullimit të të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, nuk është mposhtur. Doktrina fanatike e tij nuk mund të shfaroset vetëm me forcën e armëve, por, mbi të gjitha, me forcën e mendjes dhe të shembullit që mishëron kjo Aleancë e madhe.
Nacionalizmi në rritje, kriza e refugjatëve sirianë, apo e emigrantëve në Mesdhe, si dhe lufta kibernetike, që po merr përmasa gjithmonë e më kërcënuese, janë rreziqe reale, të cilat kanë nevojë për një përgjigje të përbashkët, ku secili ka vendin e rolin e vet.
E gjithashtu, të mos harrojmë se NATO duhet të përballet edhe me doktrina agresive faktorësh të tretë, me një dispozitiv ushtarak në rritje dhe një shpërfillje të hapur të ligjeve ndërkombëtare. Aneksimi i Krimesë është vetëm një nga dëshmitë aktuale të kësaj dukurie.
Ne ndihemi jashtëzakonisht mirë sot, që integrimi i Malit të Zi më parë dhe i Maqedonisë së Veriut më pas në NATO ka krijuar një hapësirë të gjerë në Ballkan për NATO-n dhe ka forcuar stabilitetin e Ballkanit, duke çuar drejt mbushjes së një vakumi të krijuar pas ndryshimeve tektonike që pësoi gadishulli nga shpërbërja e Jugosllavisë.
Megjithatë, në mënyrë që paqja ende e brishtë në këtë rajon të mos sfidohet kurrë në të ardhmen dhe në mënyrë që Ballkani të mos jetë kurrë më porta përmes të cilës influenca të vendeve të treta arrijnë të depërtojnë deri në zemër të Europës, është e domosdoshme që edhe Kosova të bëhet më herët se vonë pjesë e integruar e Aleancës Euroatlantike.
Shqipëria beson shumë fort se integrimi i Kosovës me ushtrinë e saj kombëtare në familjen euroatlantike është një domosdoshmëri, jo thjesht për Kosovën, as vetëm për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO është padyshim një vizion strategjik dhe përfshirja e Kosovës në NATO do të ishte një kapital i shtuar, përmes së cilit arkitektura e sigurisë europiane dhe euroatlantike në jug dhe juglindje të kontinentit marrin një trajtë të plotë dhe të sigurtë.
10-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është një moment krenarie, por edhe reflektimi për çka Shqipëria ka bërë në këto 10 vite dhe për çka duhet dhe do të bëjë më tutje. Forcat tona të Armatosura janë sot shumë më të mirëpajisura, më të mirëpaguara, apo të mirëstërvitura se më parë, garant numër një i demokracisë dhe progresit të Shqipërisë në NATO.
Por ato duhet të jenë në vijim edhe më të mirëpajisura, edhe më të mirëpaguara, edhe më të mirëstërvitura. E kësaj i shërben pa asnjë dyshim, edhe angazhimi i Shqipërisë në kuadrin e angazhimit të vendeve të NATO-s për të çuar në 2 % të Prodhimit të Brendshëm, buxhetin e FA-ve.
Janë me dhjetëra operacione që kanë shpëtuar shumë jetë njerëzish gjatë emergjencave natyrore, apo sa e sa ndërhyrje për të riparuar infrastrukturën civile, për të pastruar territorin, etj., sepse Forcat e Armatosura të Shqipërisë, jo vetëm janë prezente në të gjithë vatrat e nxehta ku është vendosur NATO, përfshi edhe në patrullimin e Detit Mesdhe, por janë gjithnjë e më shumë të pozicionuara në krah të njerëzve dhe të vendosura në shërbim të komunitetit.
Për të gjitha këto, secili prej nesh i ka një borxh të pashlyeshëm të gjithë efektivëve që me përkushtim, deri në vetëmohim, veshin uniformën e nderuar të ushtarakut shqiptar dhe ngrenë flamurin tonë kudo në botë ku e kërkojnë misionet e Aleancës, ashtu sikundër vendosin flamurin e moralit të tyre të lartë në çdo zonë e territor ku e kërkon solidariteti në raste emergjencash.
Përballë sakrificave tuaja, më e pakta që qeveria shqiptare mund të bëjë, është të vazhdojë vendosmërisht në rrugën e reformimit të ushtrisë shqiptare dhe plotësimit të nevojave të saj konform angazhimit në NATO dhe ambicies tonë për të qenë gjithnjë një prani, sado e vogël në numër, por absolutisht e barabartë në përkushtim dhe në cilësi, në radhët e kësaj Aleance.
Buxheti i Mbrojtjes në vitin 2019 njeh një rritje prej 10%, krahasuar me vitin e shkuar dhe brenda kësaj rritjeje, edhe rritjen më të lartë të pagave të ushtarakëve, në shumë e shumë vite. Por dua t’u them të gjithë atyre që janë sot të rreshtuar fizikisht këtu, apo me mëndje këtu, si përfaqësues të FA-ve, se jam i vetëdijshëm dhe jemi të vetëdijshëm që nuk mjafton.
Viti që shkoi iu kushtua politikanit dhe ushtarakut të madh, kalorësit të Europës, Gjergj Kastriot Skënderbeut, duke na dhënë dhe një dorë, një shtysë, jo vetëm për të fuqizuar Forcat tona të Armatosura në disa drejtime, por edhe për të transformuar dhe sjellë në standardet e kësaj Aleance edhe orkestrën frymore të FA-ve dhe truprojën e saj të nderit. Është vendi këtu të falënderoj ngrohtësisht ministren e Mbrojtjes, si dhe të gjithë ata që më në fund e nxorën trupën e nderit dhe orkestrën frymore nga e shkuara dhe e vendosën në të tashmen e kësaj aleance.
Gjej rastin sot, për të falenderuar në emër të të gjithë shqiptarëve, aleatët tanë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë europianë, që 10 vite më parë vendosën të besojnë tek aftësia e Shqipërisë për të qenë një aleat i përgjegjshëm dhe një kontributor i çmuar në këtë Aleancë. E dua sot t’u them partnerëve tanë të mëdhenj, aleatëve tanë strategjikë se ne jemi dhe do të mbetemi të vendosur dhe të përkushtuar për t’ju përgjigjur siç duhet, ku duhet dhe kur duhet çdo thirrje të Aleancës Euroatlantike.
Këto vite janë dëshmia më e mirë, se përse procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të vazhdojë me të njëjtën aftësi për të besuar te Shqipëria, që patën aleatët në momentin kur aprovuan anëtarësimin e vendit tonë në NATO.
Besoj se në një dekadë, si pjesë përbërëse e NATO-s, Shqipëria ka qenë mishërimi i shprehjes legjendare të Nënë Terezës: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili prej nesh mund të bëjë gjëra të vogla, me dashuri dhe përkushtim të madh”.
Këtë, Shqipëria ka bërë, këtë po bën dhe do të vazhdojë ta bëjë brenda kësaj Aleance, sepse neve, të parët tanë na kanë lënë një amanet dhe kjo Aleancë është mundësia më e drejtpërdrejtë për ta shëmbëllyer amanetin e tyre, “Dielli i shqiptarëve lind gjithmonë nga Perëndimi”.
Faleminderit!