Vazhdojnë takimet intensive në Bruksel të Ministrit në Detyrë Cakaj me ndalesën e radhës në zyrat e Komisionit Evropian ku u takua me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn.
Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformave të lidhura me agjendën evropiane dhe pritshmëritë për një vlerësim pozitiv të tyre në raportin e Komisionit dhe vendimmarrjen e vendeve anëtare në qershor.
Ministri në Detyrë vlerësoi rëndësinë e një raporti të drejtë dhe pozitiv të Komisionit Evropian mbi progresin e pesë prioriteteve kyçe i cili do të shërbejë si një bazë solide për vendimmarrjen e Këshillit.
Ai theksoi faktin se një vendim pozitiv i Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit do të jepte një mesazh inkurajues duke nxitur një dinamikë të re jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjithë rajonin.
Komisioneri Hahn inkurajoi për vijimin e reformave dhe shprehu mbështetjen e tij për avancimin e mëtejshëm të vendit në rrugëtimin evropian si një interes kombëtar që duhet të tejkalojë konfliktet e ditës dhe interesin partiak.