Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjendet në Poloni, ku po merr pjesë në Ministerialin e Varshavës “Promovimi i së Ardhmes në Paqe dhe Siguri për Lindjen e Mesme”, të bashkorganizuar nga Ministri i Jashtëm Polak, Jacek Czaputowicz dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Ministeriali i Varshavës, i cili zhvillohet për herë të parë, ka si fokus shkëmbimin e pikëpamjeve, qëndrimeve dhe ideve mbi situatën e paqëndrueshme që ekziston prej dekadash në rajonin e Lindjes së Mesme, duke mos lënë jashtë vëmendjes projektet e reja për adresimin e problemeve dhe çeljes së një rruge të re zhvillimi në këtë rajon.
Ministrat e Jashtëm dhe përfaqësues të lartë të mbi 70 vendeve pjesëmarrëse në Ministerial, u ndalën në shqyrtimin e dimensioneve të shumta që shoqërojnë konfliktin shumëvjeçar në Lindjen e Mesme të tilla si; rreziku terrorist dhe financimi i tij, konfliktet civile dhe krizat humanitare, duke vënë njëkohësisht theksin tek nevoja për promovimin e bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë.
Ky Ministerial nxori edhe njëherë në pah se arritja e paqes, forcimi i stabilitetit dhe përmirësimi i mirëqenies së popullatave që jetojnë në këtë rajon, kërkon mbi të gjitha jo vetëm vullnet politik, por edhe një aksion të përbashkët global për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.