Ministri Bushati priti në takim Ministrin e Jashtëm të Polonisë Waszczykowski

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë Ditmir Bushati priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë Witold Waszczykowski, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri. 

Palët konfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Polonisë, si dhe vullnetin e përbashkët për t’i forcuar edhe më tepër ato, duke u ndalur kryesisht në bashkëpunimin ekonomik. 

Ministri Bushati evidentoi progresin e bërë nga Qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve kyçe në procesin e integrimit evropian, për angazhimin me qëllim miratimin e reformës në drejtësi, si një reformë e një rëndësie të jashtëzakonshme për forcimin e shtetit ligjor në vend dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ministri Waszczykowski shprehu mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandryshueshme të Polonisë për procesin e reformave që ka ndërmarrë Qeveria shqiptare në vijim të rrugëtimit evropian të vendit tonë. 

Dy Ministrat vlerësuan si tepër të rëndësishëm forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit shumëpalësh, bashkëpunimit rajonal dhe mes rajoneve (V4-WB6), si dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në përballjen me sfidat e sigurisë.

Polonia do të marrë drejtimin e Grupit të Vishegradit dhe me këtë rast u evidentua rëndësia e bashkëpunimit rajonal si katalizator i proceseve integruese, si dhe angazhimi i Polonisë për të ndarë eksperiencën e saj me Shqipërinë dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim. 

Duke u ndalur në kuadër të bashkëpunimit në NATO, Ministrat evidentuan rëndësinë e përballimit të rreziqeve ndaj sigurisë euro-atlantike nëpërmjet angazhimit kolektiv, i cili do të jetë pjesë thelbësorë e agjendës së Samitit të Varshavës. 

Në kuadër të kësaj vizite, në ambientet e MPJ u ekspozuan disa materiale arkivore mbi marrëdhëniet diplomatike dypalëshe.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ul. .Altowa 1, 02-386
Warszawa,Poland

Tel / Fax

Tel.: +48 22 824 14 27
Fax.:+48 22 824 14 26
Raste urgjente: +48 501194910

E-MAIL


ambasada@albania.waw.pl
embassy.warsaw@mfa.gov.al

'

Orari zyrtar

E hënë- E enjte
08:30 - 17:00
E premte
08:30 - 14:30