Një takim i jashtëzakonshëm në Shtëpinë e Bardhë Më 14 Prill 2016, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, u prit, në Shtëpinë e Bardhë, nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe Zëvendëspresidenti Joe Biden. Në një atmosferë miqësore u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, procesin e reformave dhe rolin e kontributin e Shqipërisë në rajon. “Shqipëria është një aleat i jashtëzakonshëm. Unë dua t’ju falenderoj për çfarë ju keni bërë. Nën lidershipin tuaj, Shqipëria është tani një pikë referimi në Ballkan dhe një nga aktorët më të përgjegjshëm në rajon. Ne vlerësojmë rolin tuaj dhe ju mbështesim plotësisht,” – u shpreh Presidenti Obama. Kryeministri Rama falenderoi Presidentin Obama për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe rajonin, duke e konsideruar Ballkanin e sotëm një histori suksesi të politikës së jashtme amerikane. “Shqipëria është një vend pro amerikan, është një partner serioz në NATO dhe ajo që ne sot po bëjmë në Ballkan, duke çelur një faqe të re në historinë e bashkëpunimit në rajon, është edhe falë asaj çka SHBA ka bërë për rajonin. Ballkani sot është një histori suksesi e politikës së jashtme të SHBA-së,” - nënvizoi Kryeministri Rama. Kryeministri Rama e njohu Presidentin Obama dhe Zëvendëspresidentin Biden me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke u ndalur kryesisht në reformën në drejtësi, ndërkohë që prezantoi edhe nismën për të hapur në Tiranë, Qendrën Rajonale për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.