Fjala e KM Rama në sesionin e 72-të AP të OKB

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në sesionin e 72-të Asamblesë së Përgjithshme të OKB 
 
Zoti President!
Zonja dhe zotërinj!
Sa herë ka ndodhur, që njerëzimi është përballur në një kohë relativisht kaq të shkurtër, me kaq shumë sfida komplekse si në ditët e sotme?
A ka pasur ndonjëherë, një tjetër periudhë në atë që quhet kohë moderne, që të na është dashur të përballemi me kaq shumë çështje urgjente në të njëjtën kohë?
Kur është koha e fundit që ne mbajmë mend, kur jemi përballur me një perspektivë kaq konfliktuese, atë të një bote frymëzuese që bëhet më e pasur çdo orë, e udhëhequr nga zhvillimet e jashtëzakonshme të shkencës dhe të teknologjisë dhe në anën tjetër,  atë të një planeti që duket se ka humbur rrugën e tij, energjinë, vizionin dhe është përfshirë në një vorbull që e tërheq poshtë?
Nuk ka përgjigje të thjeshta për pyetje të tilla komplekse. Ende, faktet janë kokëfortë dhe në shumë aspekte, edhe realiteti duket i zymtë.
Terrorizmi dhe ekstremizmi global vazhdojnë të kërcënojnë vlerat tona dhe mënyrën tonë të të jetuarit. Ata janë shndërruar në një kërcënim të vazhdueshëm, me aftësinë e tyre për të goditur qorrazi, kudo, pa përjashtim, me pasoja shumë të mëdha, siç kemi përjetuar shumë herë, përfshi në të shkuarën e afërt.
Disa konflikte brutale dhe në dukje të pazgjidhshme vazhdojnë të shkatërrojnë jetët e miliona njerëzve, duke kërcënuar të ardhmen e brezave të tërë.
Konfliktet e armatosura, në ditët tona janë shumë më kompleksë, aktorët e përfshirë më të shumtë në numër. Armët e taktikat e përdorura janë shumë më të sofistikuara. Të tilla janë edhe pasojat që vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje të pafundme njerëzore.  
65 milionë njerëz, - numri më i lartë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, - janë shpërngulur forcërisht dhe brutalisht nga shtëpitë e tyre, janë një tregues për dështimin tonë kolektiv.
Ndryshimet klimaterike, një e vërtetë sfiduese që disa ende guxojnë ta vënë në pikëpyetje, janë duke vendosur në rrezik vetë mbijetesën tonë. Kjo vazhdon të përbëjë një prej sfidave më thelbësore të shekullit tonë dhe vazhdon të shkaktojë gjithmonë e më të shumë kriza humanitare.
Katastrofat janë duke u bërë gjithmonë e më të shpeshta dhe intensive. Vetë sezoni aktual i uraganëve në Atlantik na kujton se natyra do të thotë gjithmonë fjalën e fundit, përsa kohë nuk ndërgjegjësohemi për nevojën të përshtatim jetën tonë, sa më parë për të mbrojtur planetin, jetët tona dhe fëmijët tanë.
Rendi ndërkombëtar është seriozisht i sfiduar me asgjë të besueshme apo premtuese që të jetë në gjendje ta zëvendësojë.
Më keq, situata në Azinë Juglindore, një krizë e stërzgjatur dhe e përshkallëzuar së fundmi nga politika kokëforta, totalitare dhe paranojake të një regjimi, kanë rikthyer frikën e një konflikti të tmerrshëm bërthamor.
Pabarazia vazhdon të rritet, ndërsa në kontrast, bota bëhet më e pasur. Kjo vendos në pikëpyetje serioze vlefshmërinë e premtimeve dhe garancinë e rezultateve pozitive në dobi të të gjithëve, që kaq shumë herë janë evokuar nga kjo foltore.
Asnjë vend, sado i madh, i pasur apo i fuqishëm, nuk mund të përballë apo të zgjidhë këto probleme i vetëm. Këto sfida kërkojnë një vizion të unifikuar dhe një reagim të bashkërenduar.
Në një botë gjithmonë e më të globalizuar, vizioni dhe veprimet tona duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe universale, duhet të bëjnë bashkë njerëzit, komunitetet dhe shtetet tona.
Dhe unë, lideri i një vendi të vogël, solemnisht ritheksoj zotimin tonë për të bërë besnikërisht detyrën tonë.
Zoti President!
Rritja e ekstremizmit të dhunshëm dhe grupeve të armatosura joshtetërore, që shkaktojnë mizori, në veçanti ndaj minoriteteve etnike dhe fetare, vazhdon të jetë një prej sfidave kyçe.  
Qëndrimi i vendosur i koalicionit ndërkombëtar ka filluar të japë rezultat. ISIS-i ka humbur rreth 90% të territorit që dikur kontrollonte dhe aftësia e tij për të luftuar është reduktuar në mënyrë të ndjeshme. E megjithatë, le të mos gabojmë, disfata e tyre në terren nuk do të thotë që do të zhduken përfundimisht.
Përgjigja jonë ndaj ekstremizmit, radikalizmit që frymëzon terrorizmin duhet të vazhdojë dhe t’i përshtatet vetë natyrës së këtij kërcënimi të vazhdueshëm.  
Shqipëria ishte një prej vendeve të para që iu bashkua të koalicionit botëror, të luftës kundër ISIS-it dhe terrorizmit ndërkombëtar.
Tashmë jemi duke zbatuar një plan veprimi 3-vjeçar, si një instrument për zbatimin e strategjisë sonë kombëtare për të rritur kapacitetet tona kundërvepruese.
Ne mirëpresim vëmendjen e shtuar që u është dhënë organizatave rajonale në çështjet e sigurisë. Në këtë aspekt, ne vlerësojmë dhe mirëpresim një bashkëpunim më të ngushtë midis Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, në platformën e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe e Mbrojtjes.
Njerëzit në të gjithë botën duan të jenë të sigurt, të çliruar nga dhuna, shtypja, persekutimi dhe frika. Duan të trajtohen me dinjitet, të dinë që jeta e tyre është e rëndësishme, pa dallim gjinie, race, kombësie apo origjine sociale, bindjesh fetare, politike, pasurore apo çdo statusi tjetër. Në mënyrë që të arrijmë këto objektiva duhet të kalojmë përtej deklaratave.
Njerëzit, me të drejtë kërkojnë prej nesh që të dëshmojmë përgjegjësi dhe aftësi për të vepruar. Zotimi për të mos braktisur askënd është një gur themeli i Axhendës së vitit 2030.
Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e grave, çka është një tjetër betejë madhore për ndryshim, në të cilën qeveria ime po udhëheq. Jam krenar t’ju bëj me dije se për herë të dytë radhazi, në historinë e Shqipërisë gjysma e anëtarëve të qeverisë janë gra. Ato sjellin aftësitë drejtuese, forcë karakteri dhe angazhim ndaj vlerave europiane, si dhe përkushtim të veçantë në shërbim të popullit shqiptar.
Më tej akoma, gratë përbëjnë rreth 30% të anëtarëve të Parlamentit dhe më shumë se 45% të administratës publike. Këto mund të duken thjesht statistika, por në fakt ato janë reflektimi i një platforme që siguron që roli i grave në zhvillimin dhe ndryshimin e vendit është i njohur, që vendi që ato meritojnë në shoqëri është i garantuar dhe që zëri i tyre dëgjohet.
Është bindja ime e thellë se fuqizimi i grave shërben si një shtysë e fuqishme për më shumë zhvillim ekonomik dhe më shumë mirëqenie në vend.  
Zoti President!
Një nga prioritetet kryesore kombëtare për vendin tim është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Ky nuk është vetëm një objektiv i politikës sonë të jashtme; nuk është thjesht një marrëdhënie kontraktuale e zakonshme. Për ne, integrimi europian qëndron në zemrën e zhvillimit tonë të përgjithshëm, pasi prek çdo qelizë të arkitekturës sonë të zhvillimit.
Ne jemi të vendosur të ndërtojmë themelet konsolidojnë shtyllat e një shteti demokratik, të një ekonomie funksionale dhe një qeverie që punon për qytetarët e saj. Ne duam të matim progresin tonë me rezultate dhe Reforma rrënjësore në Drejtësi që po zbatojmë është shembull shkëlqyes.
Ne presim që partnerët tanë të BE-së të bëjnë pjesën e tyre dhe të hapin rrugën drejt çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Ky do të jetë një moment historik, por gjithashtu edhe një inkurajim i fortë për ne, që të vazhdojmë në të njëjtën rrugë.
Ne shpresojmë që BE, pavarësisht krizës aktuale, do të vazhdojë të besojë se procesi i zgjerimit mbetet katalizatori më i mirë europian për të garantuar sigurinë, paqen, zhvillimin dhe mirëqenien. Kjo është provuar në të kaluarën; kjo mbetet sfida e duhur për të ardhmen.
Pak muaj më parë, në zgjedhjet e përgjithshme, qytetarët e Shqipërisë më rivendosën në krye të qeverisë. Ata ranë dakord me planin tonë për “Shqipërinë që Duam”. Pritshmëritë janë të larta dhe po ashtu është vendosmëria jonë për t'i përmbushur ato.
Synimi ynë është të sigurojmë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe të arrijmë 5% rritje brenda këtij mandati.
Kjo më çon tek një nga argumentet e mia të preferuara: zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor në një zonë të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe ideve, në dobinë e të gjithëve atyre që jetojnë atje. Kjo mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës sonë të jashtme.
Ka pasur raste në të kaluarën, kur ne kemi ardhur këtu dhe kemi shpenzuar kohë dhe energji në konkurrencë me disa nga fqinjët tanë se kush i ul më shumë vlerat e tjetrit, duke treguar historitë tona të njëanshme dhe duke u përpjekur të bindnim botën për narrativat tona specifike.
Shpresojmë që kjo të jetë lënë pas tashmë. Prova më e mirë e ndryshimit të thellë në Ballkanin Perëndimor qëndron në përpjekjet tona të përbashkëta, me një ndjenjë të përbashkët të përgjegjësisë dhe qëllimit të përbashkët për ta bërë rajonin një pjesë natyrale e Europës.
Së bashku me Bashkimin Europian dhe në bazë të parimeve e politikave të tij, ne po punojmë për të rrëzuar çdo barrierë të tregtisë së lirë, duke nxitur ekonominë ndërmjet vendeve. Një Zonë e re dhe e gjallë Ekonomike Rajonale, për të cilën ramë dakord korrikun e kaluar në Trieste, do t’i japë shtysë tregtisë dhe përfitimeve të ekonomive tona.
Nuk kam dyshimin më të vogël se duke vepruar kështu, ne do të jemi më të aftë për të mbrojtur dhe promovuar interesat kombëtare të të gjithëve, respektimin e të drejtave të pakicave, forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe për të çuar vendet tona dhe rajonin si të tërë drejt BE-së.
Një lidhje e fortë dhe e shëndetshme me BE-në ka treguar se është kyçe për stabilitetin dhe progresin e reformave në Ballkan. Ne kemi vërejtur se kur BE-ja është shumë e zënë me vetveten, kjo lidhje ka treguar të jetë e brishtë dhe e pasigurt.
Kjo është arsyeja pse kjo marrëdhënie e rëndësishme duhet të ushqehet dhe të forcohet vazhdimisht, sepse lehtëson bashkëpunimin rajonal, mirëkuptim më të gjerë dhe punën drejt ripajtimit, sipas traditës e historisë më të mirë europiane.
Siç tha edhe Presidenti Junker në fjalimin e tij “Gjendja e Bashkimit”, vetëm pak javë më parë: Ekziston nevoja për një perspektivë të besueshme për zgjerimin e Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të kemi më shumë stabilitet në fqinjët e BE-së. Rigjallërimi i politikës së zgjerimit është kundërvënia më e mirë ndaj narrativës së shpërbërjes, të nxitur nga idetë populiste. Jam plotësisht i bindur që, aq sa ne kemi nevojë për BE-në, po aq BE-ja ka nevojë për një Ballkan Perëndimor më të fortë, më të zhvilluar dhe koherent.
Zoti President!
Zonja dhe Zotërinj!
E dimë shumë mirë dhe praktika ka treguar se për të ndërtuar një rajon plotësisht funksional, të gjithë anëtarët e tij duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë. Kjo është arsyeja pse mendojmë se pranimi i Kosovës në çdo organizëm rajonal, me të drejta të barabarta si vendet e tjera, është me rëndësi të jashtëzakonshme.
Shumë e kanë përdorur këtë foltore gjatë viteve të fundit, për të shprehur shqetësimin dhe frikën se pavarësia e Kosovës do të çlironte disa forca të errëta që askush nuk do të ishte në gjendje të kontrollonte.
Ne nuk kemi parë asgjë nga këto. Përkundrazi, çfarë ka ndodhur realisht është se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe serbët, dikur të kërcënuar me shfarosje nga një regjim brutal, tani janë qytetarë të lirë që jetojnë në një vend demokratik dhe kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie të hapur.
Kush mund të mohojë arritjet mbresëlënëse të Kosovës, në më pak se një dekadë të pavarësisë së saj, në konsolidimin e institucioneve të saj demokratike, qeverisjen e mirë, bashkëjetesën multietnike dhe ndërfetare, si një model rrezatues, përfshirë progresin e dukshëm në proceset euroatlantike?
Çdo raport i besueshëm për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor do të çonte pa asnjë hezitim në të njëjtin përfundim: Ballkani Perëndimor sot është shumë më i mirë se 3, 5 ose 10 vjet më parë.
Pavarësia e Kosovës jo vetëm që nuk çliroi ndonjë forcë të errët, por përkundrazi, u shndërrua në një rrip sigurimi për stabilitetin e të gjithë rajonit. Serbia dhe Kosova janë prej disa vitesh tashmë, të angazhuar në një dialog serioz drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre me ndërmjetësimin e BE-së. Kjo gjithnjë e më shumë ka prodhuar një klimë besimi për të dy vendet dhe për bashkëpunimin rajonal, pas shumë e shumë vitesh e dekadash e shekujsh mungese besimi dhe bashkëpunimi.
Kjo është një arsye më shumë për t'u kujtuar atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën në këtë audiencë, ta konsiderojnë ta bëjnë këtë dhe ta bëjnë sa më shpejt. Kjo nuk duhet të shihet si një provokim apo më keq akoma si një dështim, siç është përshkruar shpesh, gabimisht. E kemi thënë më parë, e përsërisim sot: Njohja e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve dhe përkrahja e saj për të ecur përpara, diçka që 114 vende anëtare të OKB-së kanë bërë deri më tani, është një kontribut i drejtpërdrejtë për një jetë më të mirë për qytetarët e saj dhe një investim në sigurinë e stabilitetin e të gjithë rajonit, të të gjitha vendeve të tij, përfshirë plotësisht edhe vetë Serbinë.
Më lejoni të përfundoj duke nënvizuar nevojën që OKB të reformohet në mënyrë që të mbetet e rëndësishme, të jetë në lartësinë e përgjegjësive e saj, të mbajë premtimin për zhvillim të qëndrueshëm, të garantojë të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë për gjeneratat e ardhshme. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo reformë është ajo çka ne mund dhe duhet të bëjmë së bashku, për të mbështetur më mirë përpjekjet tona të përbashkëta në transformimin e jetëve tona.
Axhenda e vitit 2030 tregon rrugën drejt një të ardhme më të mirë, të ardhmen që duam dhe që fëmijët tanë meritojnë. Ne nuk mund dhe nuk duhet të dështojmë në këtë angazhim.
Shqipëria mbetet e gatshme që të bëjë pjesën e saj dhe të bashkëpunojë me të gjithë ata që kanë dëshirë të investojnë për të ardhmen, për ta bërë botën një vend më të mirë.
Faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536
Nr. i emergjences : 00966501422449

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00