Ministri Bushati në Ministerialin e Aleancës së Qytetërimeve

Ministri Bushati merr pjesë në Ministerialin e Aleancës së Qytetërimeve

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në punimet e Ministerialit të Aleancës së Qytetërimeve të zhvilluar në Nju Jork.

Gjatë fjalës së tij, ai u ndal në arritjet e Samitit për Objektivat Globale dhe aprovimin e agjendës zhvillimore ambicioze e transformuese për vitet 2015- 2030. Duke marrë shkas nga zhvillimet më të fundit, Ministri Bushati vuri theksin mbi rëndësinë e harmonisë sociale si një parakusht për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm.

***
Fjala e plotë e Ministrit Bushati në Ministerialin e Aleancës së Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara

Z. President,

Shkëlqesi,

Gjatë këtyre ditëve kemi kaluar një moment të veçantë në histori. Sytë e botës janë përqendruar në Nju Jork, me shpresë të justifikuar se Samiti mbi qëllimet globale dhe reflektimi mbi ecurinë e botës sot, ndërsa shënohet 70-vjetori i themelimit të OKB-së, do të prodhojë lajme të mira. Fatmirësisht, mund të pranojmë se kemi lajme të mira. Ne miratuam një agjendë zhvillimore transformuese, ambicioze e të guximshme, e projektuar për ta ndryshuar botën për mirë, deri në vitin 2030.

Të shtunën e kaluar, së bashku me Jordaninë dhe Selinë e Shenjtë, ne organizuam një panel diskutimi mbi domosdoshmërinë e të pasurit harmoni sociale, si një parakusht i rëndësishëm për arritjen e qëndrueshmërisë. Ishte momenti për të ndarë idetë, mendimet dhe përvojat, duke theksuar se respekti dhe mirëkuptimi për dallimet tona janë themelorë për çdo vend, për të siguruar një jetesë normale dhe për të arritur përparim e zhvillim. Do të doja të falënderoja Përfaqësuesin e Lartë për pjesëmarrjen dhe fjalën e tij kuptimplotë.

Të nderuar kolegë,

Bota jonë kurrë nuk ka qenë një "lumë i fjetur". Ajo ka kaluar nëpër të gjitha llojet e trazirave të shkaktuara nga njeriu, që i kanë dhënë formë njerëzimit, jo gjithmonë për mirë. Progresi nuk ka qenë i lehtë, mjaft herë na ka kushtuar shtrenjtë, por asnjëherë nuk ka ndalur.

Ndërsa ndalemi një çast për të reflektuar mbi 70 vitet e OKB-së, nuk mund të mos i shtrojmë vetes disa pyetje të vështira: sa kemi mësuar nga dështimet dhe gabimet tona të kaluara? Sa i kanë ndihmuar investimet tona në arsim, bashkëpunim, mirëkuptim dhe tolerancë shoqëritë tona për të ecur përpara? A kemi bërë mjaftueshëm dhe a kemi pasur qasjen e duhur?

Këto pyetje dhe shumë të tjera bëhen edhe më kumbuese në kohën kritike ku jetojmë. Nga njëra anë, kurrë nuk kemi qenë më optimistë për të ardhmen tonë, dhe nga ana tjetër, jemi të tmerruar nga një rritje e pashembullt e intolerancës fetare, ekstremizmit të dhunshëm, diskriminimit të përhapur dhe persekutimit të individëve që i përkasin feve, etnive dhe minoriteteve të tjera. Diversiteti fetar dhe kulturor nuk kërcënohet vetëm në Irak e Siri, ku brutaliteti i pashembullt ka rrënuar strukturën shoqërore të komuniteteve që jetojnë krah për krah, por edhe tjetërkund.

Gjatë vizitës së tij të paharrueshme në Shqipëri, Papa Françesku theksoi atë që ne e konsiderojmë si një nga elementet më të vyer të shoqërisë sonë, një harmoni thuajse unike fetare që Papa e pagëzoi si "vëllazëri fetare". Ne i gëzohemi këtij thesari si një pjese të qenësishme tonën, si një domosdoshmëri për të vazhduar të jemi ata që jemi.

Sot, teksa vëmë re sa e lehtë është të shfrytëzosh dallimet e të gjenerosh dhunë, sa e brishtë është struktura shoqërore dhe sa i lartë rreziku për të rënë pre e ekstremiteteve, ne po reflektojmë me seriozitet dhe së shpejti do të vijmë me një reformë për të siguruar që çdo fëmijë të marrë edukimin e duhur, me mendje të hapur ndaj dallimeve e shumëllojshmërisë në botë, ndaj feve, kulturave, trashëgimisë shpirtërore dhe veçorive historike. Investimi tek fëmijët dhe të rinjtë tanë është investimi më i qëndrueshëm që ne të gjithë mund të bëjmë. Ne gjithashtu po ngremë një Qendër Rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, për të luftuar ndarjen etnike dhe çrrënjosur stereotipat përmes kontakteve ndërmjet njerëzve, dialogut dhe mirëkuptimit.

Kryeministri i Shqipërisë ishte një nga ligjëruesit në Samitin e Liderëve të kryesuar nga Presidenti Obama dy ditë më parë, ku u diskutua mbi luftën ndaj ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm. Më lejoni ta përmbyll duke cituar fjalën e tij: "... për të mposhtur ideologjinë, ne duhet të fitojmë betejën për zemrat dhe mendjet e brezave të ardhshëm, sepse është fuqia e ëndrrave të tyre që e bën ndryshimin një realitet të përditshëm ...". Ky është angazhimi ynë dhe ne do të punojmë shumë për të investuar siç duhet tek brezat e ardhshëm.

Ne besojmë se Aleanca e Qytetërimeve, me arritjet e saj përgjatë 10 viteve, mbetet një aset mjaft i çmuar në këtë drejtim; për këtë arsye, duhet t’i përdorim sa më mirë mjetet e saj për ta kthyer botën në një vend më të mirë, për të gjithë ne.

Faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536
Nr. i emergjences : 00966501422449

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00