Ministri Bushati pret në MPJ ekipin e Kombëtares shqiptare të Futbollit
Më 27 qershor 2016, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti në MPJ ekipin e Kombëtares shqiptare të Futbollit, e cila mori pjesë në kampionatin Evropian, Euro 2016. Ministri vlerësoi pjesëmarrjen historike të ekipit tonë kombëtar në një kompeticion të tillë, përfaqësimin me dinjitet të vendit, sjelljen shembullore të tifozerisë shqiptare dhe emocionet e bukura të përcjella përmes tij.
Gjatë fjalës së tij ministri Bushati deklaroi se kjo kombëtare ka shkruar historinë e futbollit shqiptar në atë botëror: “Shkruat historinë e një Shqipërie me frymë evropiane, arritët ta ngrinit Shqipërinë në një nga piedestalet më të larta të futbollit botëror. Ky është mesazhi më i mirë për të treguar se ne kemi për të përparuar si komb jo vetëm në futboll. Ne jemi me mendje dhe zemër më ju drejt Europës. Përfaqësimi i denjë i të gjithë shqiptarëve duke u shndërruar në përfaqësimin e gjithë kombit. Ju keni dëshmuar se jeni ambasadorët tanë në botë”.
Kapiteni i Kombëtares Lorik Cana falënderoi Ministrin Bushati për mikpritjen, për fjalët e zgjedhura dhe për ngrohtësinë e demonstruar nga të gjithë shqiptarët në fushën e lojës dhe në kthim. “Si shumë lojtarë të tjerë, jemi rritur jashtë, në Francë, Gjermani, Angli dhe të gjithë kemi marrë mesazhe urimi, por, mbi të gjitha, ajo që na ka bërë krenarë më së shumti, përveç lojës, ka qenë pritja e ngrohtë që të gjithë na kanë rezervuar” – theksoi Cana.
Në vijim të vendimit të marrë nga qeveria shqiptare, anëtarët e ekipit kombëtar të futbollit u pajisën me pasaporta diplomatike në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi.