Ministri Bushati takon Administratoren e UNDP-së, Helen Clark
Në kuadër të takimit të nivelit të lartë që do të zhvillohet me rastin e 50-vjetorit të UNDP-së, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi një takim të veçantë me Administratoren e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Helen Clark. Në takim u bisedua mbi bashkëpunimin e suksesshëm të Shqipërisë me UNDP-në, veçanërisht në këto vitet e fundit, ku Shqipëria është përfshirë në një program pilot të kësaj agjencie të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara, të quajtur “Goal 16”. Palët e konsideruan projektin e OKB-së si mjaft të rëndësishëm për një zhvillim të qëndrueshëm e dinamik të Shqipërisë, në mbështetje të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, si dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë takimit u shpreh vullneti për të vijuar bashkëpunimin në kuadër të konceptit dhe praktikës së “Një OKB”, për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në fushat e mirë-qeverisjes, zbatimit të shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit në funksion të zbatimit të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së. Znj. Clark vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë e UNDP-së për të ndihmuar vendin tonë në drejtim të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe dinamik.