Ministri Bushati zhvillon takime me homologët e Arabisë Saudite, Koresë së Jugut dhe Kazakistanit
Në kuadër të qëndrimit të tij në Nju Jork për të marrë pjesë në Punimet e Sesionit të 70 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi takime me homologun e Arabisë Saudite, Koresë së Jugut dhe Kazakistanit.
Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite Adel Al-Jubeir, të dy ministrat vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe shprehën vullnetin për avancimin e mëtejshëm të tyre, duke u ndalur kryesisht në aspektin ekonomik. Palët vunë në dukje se plotësimi i kuadrit ligjor dhe intensifikimi i shkëmbimit të vizitave midis dy vendeve do të shërbente me tej në këtë drejtim.
Dy Ministrat ndanë mendimin se vazhdimi i bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare është me interes për të dy vendet. Ministri Bushati falënderoi homologun për mbështetjen e deritanishme dhënë ndaj Kosovës dhe inkurajoi që ajo të vijohet edhe me kërkesën e Kosovës për t’u pranuar në UNESCO. Gjithashtu, Ministri Bushati kërkoi mbështetjen e Arabisë Saudite për të lobuar në njohjen e mëtejshme të Kosovës nga vendet e Ligës Arabe, ku roli i Arabisë Saudite në këtë drejtim është tepër i rëndësishëm.
Më tej, Ministrat shkëmbyen pikëpamje mbi situatën dhe zhvillimet në rajon e më gjerë. Ata ndanë mendimin se përballimi i kërcënimit që paraqet ISIL dhe terrorizmi për paqen e sigurinë në botë kërkojnë një koordinim sa më të mirë të përpjekjeve ndërkombëtare në luftën kundër tyre.
Në takimin e zhvilluar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Koresë e Jugut, Yun Byung, të dy ministrat konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe u angazhuan për të zhvilluar me tej dialogun politik. Palët evidentuan potencialin e lartë të pa shfrytëzuar mes dy vendeve dhe shprehen angazhimin për të ndërtuar një marrëdhënie më të strukturuar në funksion të konsolidimit të bashkëpunimit ekonomik.
Ministri Bushati u ndal veçanërisht në mundësitë e kompanive koreane për të investuar në Shqipëri në fusha si energjia, miniera, elektronika, industria kimike, infrastruktura, turizmi. Ai gjithashtu vlerësoi si të rëndësishme krijimin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Kore e Jugut dhe mbajtjen e një forumi biznesi i cili do të afrojë bizneset e të dy vendeve për bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Të dy Ministrat nënshkruan Marrëveshjen mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Koresë mbi Bashkëpunimin Ekonomik, e cila do të nxisë marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve në fushat me interes reciprok.
Gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kazakistanit Erlan Idrissov, dy Ministrat shprehën vlerësimin për ecurinë e raporteve dypalëshe.
Duke iu referuar vizitës së Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama në Astana, në vitin 2014, Ministrat diskutuan mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik.
Ministri Bushati vlerësoi si premtues bashkëpunimin dypalësh për realizimin e projekteve në fushën e naftës dhe të gazit, infrastrukturës, turizmit, etj. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën e nxitjes së kontakteve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, për të mundësuar një përfitim nga të gjitha hapësirat e mundshme të potencialit të bashkëpunimit.
Ministrat ranë dakord për të mbështetur iniciativat që kanë për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, si dhe për finalizimin e kuadrit ligjor që do të lehtësojë bashkëpunimin në këtë drejtim.