Ministri Bushati zhvillon vizitë zyrtare në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë
Ministri i Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë. Qëllimi i kësaj vizite ishte intensifikimi i dialogut politik, nxitja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, bashkëpunimi në çështje ndërkombëtare e të sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit.
Gjatë kësaj vizite Ministri Bushati u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme të Jordanisë Nasser Judeh dhe zhvilloi një takim të posaçëm me Mbretin Abdullah II.
Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme Judeh u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dhe u vu theksi në identifikimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të biznesit si dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të nevojshme në funksion të këtij bashkëpunimi. Bashkëbiseduesit shprehën vullnetin dhe interesin për të punuar në vendosjen e lidhjeve të institucionalizuara ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.
Ministrat Bushati dhe Judeh vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare dhe nevojën për mbështetje reciproke. Më tej, gjatë takimit, u shkëmbyen pikëpamje lidhur me zhvillimet rajonale, duke u ndalur në aspekte të sigurisë, luftës kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm si dhe krizës së refugjatëve të shkaktuar nga lufta në Siri. Ministrat theksuan rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave të suksesshme mbi tolerancën fetare dhe dakordësuan një seri hapash dhe aktivitetesh të përbashkëta në këtë drejtim.
Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar u vlerësuan gjithashtu si dy fusha ku është rritur bashkëpunimi i dy vendeve. Në këtë kontekst, Ministri Bushati vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të Jordanisë me NATO-n.
Në pritjen që iu ofrua nga Mbreti Abdullah II, Ministri Bushati vlerësoi kontributin e veçantë të Madhërisë së tij për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Lindjes se Mesme si dhe për vëmendjen e treguar ndaj Ballkanit.
Madhëria e Tij Mbreti Abdullah, u shpreh se rajoni i Ballkanit është një rajon evropian, me një rëndësi strategjike për paqen dhe stabilitetin e mbarë Mesdheut. Në këtë kontekst, roli i Shqipërisë dhe vlerat e mbartura nga shoqëria shqiptare marrin një rëndësi të veçantë dhe duhen promovuar.
"Vizita e suksesshme e Madhërisë së Tij në Tiranë në maj të këtij viti hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve duke ndihmuar në identifikimin e qartë të fushave specifike të bashkëpunimit", u shpreh Ministri Bushati.
Bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare u vlerësua si mjaft i rëndësishëm. Në këtë kontekst, Ministri shprehu mirënjohjen për Mbretin dhe qeverinë e tij në njohjen e Kosovës, si i pari vend në Lindjen e Mesme që ndërmarri këtë hap.
Mbreti Abdullah II shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e tij për të nxitur më tej bashkëpunimin konkret mes Shqipërisë dhe Jordanisë, në fusha si shëndetësia dhe turizmi, ku ekzistojnë potenciale që duhen shfrytëzuar bashkërisht.
Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu një takim me Presidentin e Senatit të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë Abdur-Rauf-Rawabde dhe një grup senatorësh, ku u diskutua mbi raportet dypalëshe si dhe u shpreh vlerësimi se bashkëpunimi mes parlamenteve të të dy vendeve është mjet i dobishëm për forcimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jordanisë.
Në përfundim të vizitës, Ministri Bushati u takua dhe me Ministrin e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore Nayef Al-Fayez, ku të dy Ministrat diskutuan mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e turizmit, përmes shkëmbimit të eksperiencave më të mira si një sektor me potencial të lartë për të dy vendet.