Ministri Bushati zhvillon takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini, me të cilën patën një bashkëbisedim me studentë
3 Mars 2017, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini, e cila po zhvillon një vizitë në Tiranë. Në takim u diskutua mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugëtimin europian dhe mbi zhvillimet më të fundit në vend.
Ministri Bushati e njohu znj. Mogherini me ecurinë e vendit në kursin e reformave dhe vendosmërinë e qeverisë për përmbylljen e reformës në drejtësi si reforma kyçe për rrugëtimin europian të vendit.
Pjesë e diskutimeve ishte situata në rajon, thellimi i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, rëndësia e stabilitetit demokratik dhe perspektiva europiane, ku Shqipëria dhe shqiptarët luajnë një rol të rëndësishem në këtë drejtim. Ministri Bushati nënvizoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar kontributin e saj për një rajon të kyçur në rrjedhat euro-atlantike.
Më pas, Ministri Bushati dhe znj. Mogherini morën pjesë në një bashkëbisedim me studentë që kanë kryer studimet në vendet anëtare të BE-së falë programit Erasmus. Në fokus të këtij bashkëbisedimi ishte roli dhe kontributi që mund të japin ata në funksion të zhvillimit dhe avancimit të vendit në rrjedhat europiane.