Ministri Bushati takon Sekretarin e Shtetit Kerry

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry viziton Tiranën

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry vizitoi sot Tiranën, ku u takua me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.

Vizita e Sekretarit Kerry vjen në një moment të veçantë të raporteve dypalëshe, duke nisur kësisoj më së miri celebrimin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona.
Në prill të vitit të kaluar, në Uashington, mes Shqipërisë dhe SHBA-ve u nënshkrua Deklarata e Partneritetit Strategjik, e cila kurorëzon 25 vite bashkëpunimi mes dy vendeve. Gjatë takimit mes Ministrit Bushati dhe Sekretarit Kerry u diskutua mbi thellimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe, zhvillimet më të fundit në rajon, sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimin në organizmat shumëpalëshe.

Sekretari Kerry shprehu mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve në procesin e integrimit të mëtejshëm euroatlantik dhe prosperitetin e Shqipërisë e shqiptarëve në rajon. Ai vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe shprehu mbështetjen për përmbylljen sa më të shpejtë të reformës në drejtësi, si një reformë me impakt të drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit në ekonomi.

Sekretari Kerri vlerësoi lart bashkëpunimin intensiv me Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe kontributin e rëndësishëm që vendi ynë jep për paqen dhe sigurinë në rajon.

Ministri Bushati shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e tyre të vazhdueshëm në proceset demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor, sigurisë dhe reformave shtetndërtuese në rrugëtimin tonë evropian.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536
Nr. i emergjences : 00966501422449

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00