
Ministri Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Argjentinës
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Argjentinës, ku pati takime të veçanta me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Kulteve, z. Hector Marcos Timerman, Zëvendës presidentin e vendit dhe Presidentin e Senatit, z. Amado Boudou, Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Argjentinës, z. Guillermo Carmona, si dhe me diasporën shqiptare.
Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Argjentinës, Ministri Bushati vlerësoi nivelin e mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe kërkoi zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën tregtare, energjisë së rinovueshme, bujqësisë dhe turizmit.
Palët diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në rajonet respektive dhe u ndalën në bashkëpunimin shumëpalësh, kryesisht në kuadër të organizatave ndërkombëtare si Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku të dy vendet janë anëtarë. Dy Ministrat diskutuan dhe mbi rezolutat e miratuara në Këshillin e të Drejtave të Njeriut si "Lufta ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm" dhe rezolutën "Mbi Dënimin me Vdekje" si dy rezoluta që mbështeten nga Argjentina dhe Shqipëria në KDNJ.
Ministri Bushati i kërkoi homologut Timerman që të ndërmarrë hapat e nevojshëm që do të mundësonin pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Dy Ministrat vlerësuan rolin e çmuar të diasporës shqiptare në këtë vend si pjesëmarrëse aktive në jetën demokratike të Argjentinës dhe si një urë e rëndësishme për institucionalizimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Në takimin me Zëvendës presidentin dhe Presidentin e Senatit, z. Amado Boudou, u vlerësuan marrëdhëniet tradicionale dhe miqësore mes dy popujve, ndërsa kjo vizitë u konsiderua nga palët si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ministri Bushati theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona në të ardhmen, duke evidentuar fushat e bashkëpunimit të interesit reciprok, si dhe bashkëpunimit konkret dypalësh. Palët shprehen bindjen se intensifikimi i shkëmbimeve parlamentare do t`i shërbejë forcimit të marrëdhënieve të gjithanshme të Shqipërisë dhe Argjentinës.
Gjatë qëndrimit të tij në Buenos Aires, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Argjentinës, z. Guillermo Carmona. Gjatë takimit, palët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, intensifikimin e dialogut politik dhe rolin e diplomacisë parlamentare si një instrument i rëndësishëm për bashkëpunimin në të ardhmen. Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme Caramona shprehu angazhimin për krijimin e grupit të miqësisë Shqipëri-Argjentinë në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit argjentinas, çka do të mundësojë rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit parlamentar.
Në përmbyllje të vizitës së tij në Argjentinë, Ministri Bushati zhvilloi një takim të veçantë me një grup përfaqësuesish të diasporës shqiptare të Argjentinës, si një prej diasporave më të vjetra shqiptare në botë. Ministri Bushati i përgëzoi për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe u dhuroi disa kopje të Abetares shqipe, për nevojat e komunitetit në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj.
Gjithashtu, Ministri i ftoi ata, që si një prej diasporave më të vjetra në botë, të marrin pjesë në samitin e diasporës që do të zhvillohet në Tiranë në fillim të vitit tjetër.