Shqipëria zgjidhet anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNDP/UNFPA/UNOPS për periudhën 2017-2019
Më 5 prill 2016, Shqipëria u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Fondit të OKB-së për Popullsinë dhe Zyrës për Shërbime Projektesh të OKB-së (UNDP/UNFPA/UNOPS) për periudhën 2017-2019.
Zgjedhja e Shqipërisë në këtë institucion të rëndësishëm drejtues është dëshmi e një angazhimi aktiv të vendit tonë në kuadër të agjencive zhvillimore të OKB-së, veçanërisht, pas miratimit nga Shqipëria të Agjendës Transformuese për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin Ekzekutiv të UNDP/UNFPA/UNOPS është një angazhim për një kontribut të njëmende që vendi ynë pritet të japë në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm, qeverisjes demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të kategorive më vulnerabël, forcimin e paqes në botë etj.