Më 25 shtator 2026, Beogradi do të mirëpresë edicionin e 26-të të Ditës Evropiane të Gjuhëve, një aktivitet kushtuar promovimit të mësimit të gjuhëve dhe diversitetit kulturor e gjuhësor të Evropës.
Aktiviteti, i cili do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 13:00 në gjashtë hapësira të ndryshme në Beograd, organizohet nga rrjeti EUNIC Serbia, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe Këshilli i Evropës. Në të do të marrin pjesë nxënës dhe të rinj të moshës 12–18 vjeç, së bashku me mësuesit e tyre, ndërsa do të përfaqësohen 27 vende dhe organizata dhe mbi 20 gjuhë.
Në këtë festë të shumëgjuhësisë dhe kulturave evropiane, gjuha shqipe do të jetë e pranishme, e prezantuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë. Pjesëmarrja e shqipes i jep një dimension të veçantë aktivitetit, duke sjellë përpara nxënësve dhe vizitorëve një prej gjuhëve të Evropës dhe duke krijuar mundësi për ta njohur atë në mënyrë interaktive.
Pjesëmarrësit do të pajisen me një “pasaportë gjuhësore”, të cilën do ta plotësojnë me vula gjatë vizitës në stendat e ndryshme. Në stendën kushtuar gjuhës shqipe, nxënësit do të kenë mundësi të njihen me elemente të gjuhës dhe kulturës shqiptare përmes lojërave dhe aktiviteteve të përgatitura posaçërisht për këtë ditë.
Programi përfshin gjithashtu kuize, aktivitete tematike dhe mini-kurse 20-minutëshe, të cilat u japin të rinjve mundësinë të njihen nga afër me gjuhë të ndryshme evropiane në një atmosferë festive dhe miqësore.
Dita Evropiane e Gjuhëve synon të nxisë interesin e të rinjve për mësimin e gjuhëve të huaja dhe të evidentojë pasurinë që sjell diversiteti gjuhësor e kulturor. Në këtë kuadër, pjesëmarrja e gjuhës shqipe kontribuon në pasqyrimin e shumëllojshmërisë gjuhësore të Evropës dhe në forcimin e njohjes së saj në një hapësirë të përbashkët evropiane të kulturës dhe komunikimit.
Festoni me ne Ditën Evropiane të Gjuhëve!



