Ministri i Jashtem Ditmir Bushati, ne takimin e GYMNICH ne Bratislave

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini, mori pjesë në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, Gymnich, i cili u zhvillua në Bratislavë. Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kandidate.
Ndër temat e tjera të diskutimit ishin Turqia, kriza në Ukrainë dhe Strategjia Globale e BE-së, bisedimet me vendet kandidate, si dhe lufta kundër terrorizmit e radikalizmit. Ministri Bushati shprehu mbështetjen e vendit tonë në adresimin e përbashkët të sfidave të sigurisë dhe kërcënimeve me të cilat përballet sot BE-ja dhe rajoni ynë. Ai solli në vëmendje disa aspekte të rëndësishme të hapave që ka ndërmarrë vendi ynë në kuadrin e luftës ndaj terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe nevojën për ndërveprim të përforcuar me BE-në në këto nisma.
Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e krijimit të një Qendre Rajonale në Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga i gjithë rajoni dhe mbështetjen e BE-së. Ai vuri theksin mbi nevojën e një pranie më të madhe të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përforcuar mbështetjen politike dhe ekonomike për perspektivën evropiane të rajonit. Ministri Bushati vlerësoi qasjen pragmatiste të Strategjisë Globale të BE-së që evidenton rolin e rëndesishëm të Ballkanit Perëndimor në sfidat me të cilat përballet sot mjedisi i sigurisë. "Në këto kohë të trazuara është e rëndësishme që suksesi ynë i përbashkët të mos merret si i mirëqenë.
Proceset e ngrira ose të papërfunduara demokratike në rajonin tonë mund të bëjnë që shumë shpejt vendet tona të mund të shfaqin simptomat e destabilizimit dhe përçarjes të cilat në fakt provokohen diku tjetër", theksoi Ministri Bushati Duke u ndalur në impaktin e Reformës në Drejtësi, Ministri Bushati u shpreh se: "Rritja ekonomike dhe siguria nuk mund të arrihen pa drejtësi. Shqipëria ka miratuar një reformë gjithëpërfshirëse të drejtësisë që shpresojmë se do të shënojë një hap të ri përpara në procesin tonë të pranimit në BE, dhe do të shërbejë si model për vendet e tjera aspirante".
"Cilësia e zbatimit të reformës në Drejtësi është e rëndësishme jo vetëm brenda vendit për edhe për ndikimin e saj në sundimin e së drejtës në ekonomi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për rezultate të prekshme në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit", theksoi Ministri Bushati.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00