Xhaçka mban fjalën e parë në Këshillin e Sigurimit: Zero tolerancë ndaj hakmarrjeve kundër grave aktiviste

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka mbajtur fjalimin e parë në Këshillin e Sigurimit, në takimin për Gratë, Paqja dhe Siguria. 
Ministrja Xhaçka u shpreh se çështja Gratë, Paqja dhe Siguria është prioriteti kryesor i agjendës së Shqipërisë për dy vitet e ardhshme. 
Sipas saj, do të ishte e pafalshme nëse gratë përjashtohen nga përpjekjet që synojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. 
“Unë do të doja të përqendrohesha në 4 pika kryesore: Së pari, të mbështesim dhe të vëmë në dispozicion burime për organizatat relevante të OKB-së për të ofruar të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për gratë aktiviste. Së dyti, të krijojmë mekanizma financimi fleksibël të afta për të vepruar shpejt dhe për t'u përgjigjur me shpejtësi kur gratë lidere përballen me kërcënime dhe akte ndëshkimore. Së treti, të rrisim fondet për organizatat e udhëhequra nga gratë, në zonat delikate dhe të prekura nga konflikti. Së katërti, të rrisim llogaridhënien në lidhje me gratë, paqen dhe sigurinë duke pasur një qasje me tolerancë zero ndaj akteve hakmarrëse kundër grave aktiviste”, theksoi Ministrja Xhaçka gjatë fjalës së saj. 
Më 11 qershor, Shqipëria u zgjodh si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB, për periudhën 2022-2023. Kjo është një nga arritjet më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare për Shqipërinë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00